VMRO-DPMNE kritikon Bojmacalievin: Pritja e ekzemplarëve për pasaporta, munguan vetëm fishekzjarrët

TË FUNDIT

“MPB për qytetarët” në aksion – mbërritën 140.000 ekzemplarë në Pikën kufitare “Bogorodicë”. Ky status i zëvendësministrit shtesë të Punëve të Brendshme, Mitko Bojmacaliev, i cili shkoi për t’i marrë ekzemplarët për pasaportat, shkaktoi reagime të shumta në opinionin publik. VMRO-DPMNE me ironi thotë se kjo është edhe një ide tjetër “gjeniale” e pushtetit dhe bëri thirrje që ta mbështesin ligjin për vazhdimin e afatit të pasaportave.


“Pasi qytetarët ishin dëshmitarë të hapjes së një tuneli me kërcime dhe muzikë-live, tani kemi pjesën e dytë – organizimin e ceremonisë për mbërritjen e ekzemplarëve për pasaportat. Besoni ose jo, zëvendësministri shtesë Mitko Bojmacaliev pardje në Vendkalimin kufitar ”Bogorodicë” i priti solemnisht formularët për pasaportat, duke përshëndetur ata, e munguan vetëm fishekzjarrët për ta kompletuar imazhin”, theksoi Brane Petrushevski, VMRO-DPMNE.

Por, zëvendësministri shtesë, Bojmacaliev, në emisionin e djeshëm “10 Minuta” të TV21, tha se kjo është bërë me qëllim që të hidhen poshtë spekulimet se nuk ka ekzemplarë.


“Duke marrë parasysh se në ditët e kaluara u përballëm me lajme të rreme, formularët po vijnë, jo nuk vijnë, kemi kaq, kemi aq ekzemplarë….këtë e bëra pikërisht për arsye që t’u tregoj qytetarëve se atë që po e them ditëve të fundit – se dërgesa do të mbërrijë të enjten ose të premten në atë numër, në atë kohë dhe në atë vend, për t’u treguar se atë që po e them është vërtet kështu. Dhe nuk ishte një ceremoni e veçantë. Ishte një vizitë normale e një ministri, e një zëvendësministri shtesë kur shkon në një objekt policie ku i jepet raport, bën një xhiro te kolegët e tij dhe kamioni erdhi”, pohoi Mitko Bojmacaliev, zv.ministër shtesë i Punëve të Brendshme.

Jozyrtarisht, Ligji për vazhdimin e pasaportave do të jetë në rend dite të seancës të së mërkurës. Por, sipas kryetarit të LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, ky ligj nuk mund të ndryshohet sepse është i lidhur me Marrëveshjen e Prespës dhe mund të pësojë ndryshime vetëm me pëlqimin e vendeve-anëtare të Bashkimit Europian dhe Greqisë.