Menjëherë të thirret Komisioni për mbikëqyrje mbi punën e Agjencisë për Siguri Kombëtare dhe Agjencisë për Zbulim dhe të bëhet kontroll nëse dhe në ç’mënyrë është bërë keqpërdorimi i sistemit. Këtë e kërkoi deputeti i VMRO-DPMNE Ljupço Prenxhov i cili tha se Komisioni duhet t’i hetojë me hollësi rrethanat nën të cilat janë bërë përgjimet dhe ndjekjet.
“Qëllimi është që në seancë të shqyrtohen dyshimet shqetësuese për veprim të paligjshëm në ASK, respektivisht të përcaktojmë datë të saktë për vizitë zyrtare në Agjencinë për Siguri Kombëtare përmes së cilës do të kryejmë kontroll të drejtpërdrejtë në gjendjet dhe hetim të plotë të të gjitha rrethanave të lidhura me këto ngjarje. Këto zhvillime tashmë shkaktuan shqetësim të madh në opinion dhe e minojnë demokracinë dhe besimin në institucionet që janë kompetente për mbrojtjen e sigurisë kombëtare”, tha Ljupço Prenxhov – deputet i VMRO-DPMNE-së.
Kryetari i Komisionit Skender Rexhepi theksoi se ai nuk do të thërrasë seancë derisa të mos e marrë certifikatën e nevojshme të sigurisë, për të cilën edhe pas gati 10 muajsh nuk ka asnjë përgjigje nga organet kompetente pse nuk ia japin. “Derisa jam unë kryetar nuk do ta caktoj, ndërsa këtë mund ta bëjë edhe kryetari i Kuvendit Gashi”, tha ai.
“Cila do të ishte logjika që kryetari i Komisionit të mos mund të marrë pjesë në një Komision të tillë ose një kontroll të tillë në shërbime. Ata e kanë mundësinë, kryetari i Kuvendit e ka atë mundësi të thërrasë Komision jashtë kompetencës sime, këtë e bënë tashmë një herë gjatë vitit, le të kontrollojnë, le të e bëjnë të njëjtën, unë nuk mund t’ua ndaloj sipas Rregullores së Kuvendit. Mirëpo unë nuk do të bie në atë nivel të jem shërbëtor i njerëzve që do të mbikëqyrin jashtë mundësisë sime”, u shpreh Skender Rexhepi – kryetar i Komisionit për Mbikëqyrje mbi ASK dhe AZ.
Njëri prej atyre për të cilët ka dyshime se ka qenë i ndjekur nga shërbimet e sigurisë është edhe Oliver Spasovski i cili në atë kohë ishte ministër i Punëve të Brendshme. Ai kërkon deklasifikim urgjent të të gjitha dokumenteve për ndjekje dhe përgjim dhe thërret për përgjegjësi.
“Ne nuk kemi informacione bazike rreth kësaj situate. A kishte, kush, kur, për çfarë, cilat kanë qenë aksionet operative, a ka pasur aksion operativ, a nuk ka pasur aksion operativ, shihni dalin edhe informacione të kryqëzuara nga bartës të lartë të funksioneve. Për shkak se mendoj se nuk duhet e gjithë kjo të përdoret për marketing dhe llogaritje politike e që të mos jetë e vërtetuar. Unë dua të jetë e vërtetuar dhe nëse ekziston çfarëdo keqpërdorimi secili që e ka bërë atë të mbajë përgjegjësi”, theksoi ish-ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
Për momentin pohohet se janë përgjuar dhe ndjekur kryetari i VMRO-DPMNE, atë kohë në opozitë, Hristijan Mickoski, nënkryetari i partisë Aleksandar Nikollovski, Dragan Kovaçki, Oliver Spasovski, Vilma Ruskovska, si dhe redaktorë dhe gazetarë të disa mediave. Sipas informacioneve jozyrtare, përgjimi dhe ndjekja e paligjshme nga ASK gjoja ka ndodhur në periudhën nga viti 2019 deri më 2024. Në atë kohë drejtor ishte Viktor Dimovski i cili dje kërkoi deklasifikimin e dokumenteve.
