Prokuroria Publike mund të hapë hetime dhe të kontrollojë të dhënat se si Drin Ahmeti, nipi i liderit të BDI-së, ka fituar 39 për qind të pronësisë në Qendrën Tregtare “Soravia”, deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
Ai thotë se informacione dhe të dhëna të tilla ofrojnë mundësi për hapjen e procedurës së kontrollit. I pyetur nëse do të ketë ndonjë përgjegjësi, ministri u shpreh se çdo gjë që del dhe është kundër ligjeve duhet të ketë përgjegjësi, pavarësisht nëse janë politikanë.
“Këto janë të dhëna dhe informacione që ofrojnë mundësinë për të hapur një procedurë për kontroll, në radhë të parë qarkullimi financiar dhe sigurisht se Prokuroria Publike mund të hap procedurë dhe në bazë të asaj mbi bazën e tyre të ngarkojë institucionet përkatëse ligjzbatuese të kontrollojnë të gjitha faktet dhe argumentet”, tha Spasovski.
Akuzat e opozitës për Drin Ahmetin kanë vazhduar edhe sot. Deputeti i VMRO-DPMNE-së Dragan Kovaçki i bëri thirrje Prokurorisë dhe organeve të rendit që menjëherë të hapin hetime për Drin Ahmetin, i cili dje deklaroi se posedon 39% të pronësisë së qendrës së biznesit Soravia.
““Tor Industries” i Drin Ahmetit, nipit të Ali Ahmetit, është një kompani e themeluar në vitin 2020, nuk tregon fitim, përkundrazi punon me humbje. E njëjta kompani së bashku me “PE-VLA-KU” SHPK shqiptare po merr qendrën e biznesit “Soravia” dhe në vend të investimit monetar, kompania partnere nga Shqipëria është ajo që paguan dhe Ahmeti i ri merr 39 për qind sepse është i ri dhe ka një vështrim të këndshëm për të ardhmen. Dhe si i tillë ai duhet të menaxhojë qendrën e biznesit”, tha Kovaçki.
Afaristi Drin Ahmeti, nipi i kreut të BDI-së, dje dha informacione lidhur me blerjen e qendrës tregtare “Soravia”, por jo edhe shumën totale të marrëveshjes e cila pritet të publikohet në shtator. Ahmeti siguron se në blerjen e këtij objekti nuk ka dhënë asnjë cent por se është tërhequr linjë kreditore prej 6 milionë eurove. Drin Ahmeti nga kjo marrëveshje do të posedojë 39% të aksioneve. 51% do t’i ketë kompania PE-VLA-KU ndërsa 10% do t’i ngelin pronarit të deritanishëm, Hano Soravia.
