Krahas me koalicionin VLEN, VMRO-DPMNE filloi negociatat për pjesëmarrje në qeverinë e re edhe me partinë ZNAM të Maksim Dimitrievskit. Takimi i parë është zhvilluar mbrëmë në hapësirat e ZNAM, por për momentin nuk ka detaje konkrete për thelbin e bisedimeve. Jo zyrtarisht, në këtë takim të parë nuk është diskutuar për zgjedhjet kadrovike dhe ndarjen e resorëve, por pritet që në mbledhjen e radhës të hapet kjo temë.
Siç thonë burime partiake për TV21, propozimi se sa do të marrë ZNAM nga torta qeveritare do t’i lihet VMRO-DPMNE-së dhe më pas partia e Dimitrievskit do të prononcohet se cilat janë qëndrimet e tyre. VMRO-DPMNE u përgjigj shkurt se për momentin ende nuk ka marrëveshje përfundimtare.
“Ende nuk ka përgjigje përfundimtare. Atë që mund ta them është se negociatat zhvillohen në frymë pozitive”, tha Naum Stoillkovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE.
Pas takimit të djeshëm, nga ZNAM dolën me kumtesë ku thuhet se në takim është biseduar për përcaktimet strategjike, parimet politike dhe platformën politike për bashkëpunim.
“Lëvizja ZNAM-për Maqedoninë tonë, platformën e saj e themelon në shtyllat ideologjike të Lëvizjes Znam-Maqedonia bashkëkohore, demokratike, si shtet europian, i themeluar në vlerat e Kryengritjes së Ilindenit dhe KAÇKM-së, integrimi i vendit në BE në mënyrë të denjë, Maqedonia shtet ku mbizotëron e drejta dhe ka zero tolerancë për korrupsion. Në bisedat me përfaqësuesit e Lëvizjes ZNAM këmbëngulën që të gjitha përcaktimet të jenë pjesë e programit të qeverisë së ardhshme”, thotë ZNAM.
Nga VMRO-DPMNE dje njoftuan se negociatat që zhvillohen mes partnerëve të koalicionit për qeverinë e ardhshme janë në fazë të avancuar por se ende nuk ka marrëveshje përfundimtare me koalicionin VLEN. Qeveria e re pritet që të formohet deri më 20 qershor ndërsa të martën është caktuar seanca konstitutive në Kuvend.
