VMRO-DPMNE: Ahmeti është kryeministri i vërtetë! Grubi: Lapidari nuk është provokim, por pjesë e historisë së vendit

TË FUNDIT

Kanë vazhduar edhe sot reagimet për kullën përkujtimore të ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare që u përurua dje në Sllupçan të Komunës së Likovës. Këtë monument si duket më vështirë e ka ta kapërdijë VMRO-DPMNE e cila edhe sot mbajti një konferencë në të cilën ngjarjen e djeshme e quajti aheng privat të BDI-së, ndërsa drejtpërdrejt e akuzoi kryeministrin Dimitar Kovaçevski, se pse e ka lejuar një gjë të tillë.

“Ngjarja në Likovë, është edhe një argument se titulli i vërtetë i Kovaçevskit është ekzekutuesi i vetëm i punëve, sepse është më shumë se e qartë se Ali Ahmeti është kryeministri i vërtetë i Maqedonisë. Kjo ngjarje është edhe një argument se LSDM është vetëm çirak ose ndihmës, sepse është më se e qartë se BDI është shefi i vërtetë i kësaj Qeverie e cila e udhëheq Maqedoninë”, deklaroi Dimce Arsovski – zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

E zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut Artan Grubi tha se kulla përkujtimore nuk është provokim, por pjesë e historisë së vendit.

“Historia e re e Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk mund të shkruhet pa UÇK-në, kështu që historia e re pas vitit 2001 duhet të shkruhet me atë episod të historisë moderne të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Prandaj ky monument nuk është për ndarje, por për bashkim dhe si i tillë duhet të përjetohet nga të gjithë qytetarët sepse nuk përmban kurrfarë provokimi. Nuk ka asnjë qëllim të jetë kundër dikujt, por të shënohet një moment historik siç është lufta e vitit 2001”- pohoi Artan Grubi – zëvendëskryeministër i parë.

Nga ana tjetër ish-komandati i ARM-së në vitin 2001 Stojançe Angellov ka kërkuar që të mos ngrihet tension i panevojshëm ndëretnik për monumentin e ri të UÇK-së. Ai përmes një statusi në facebook ka shkruar se secila palë duhet t’i nderojë ushtarët e rënë.