VMRO-DPMNE, AAA dhe LD nuk do të marrin pjesë/ Të hënën skadon afati për grupin e punës për ndryshimet kushtetuese

TË FUNDIT

Të hënën skadon afati që Ministria e Drejtësisë e vendosi në shkresën që ua dërgoi partive dhe institucioneve, që të caktojnë përfaqësues të tyre në grupin e punës për ndryshimet e Kushtetutës. Një pjesë e partive e refuzuan pjesëmarrjen, mes tyre është edhe VMRO-DPMNE prej ku përsëritën se nuk do të kyçen në këtë organ. Kryetari i partisë, Hristijan Mickoski u shpreh se nuk do të marrin pjesë dhe se në këtë fazë, kjo është plotësisht pa bazë. Duke e komentuar refuzimin e modelit kroat nga ana e pushtetit, tha se Kovaçevski dhe Osmani paraprakisht folën ndërsa tani ndryshojnë mendje.

“Kjo gjë tani është tërësisht pa bazë, duan ta politizojnë procesin, ja edhe një herë publikisht do ta përsëris qëndrimin dhe nuk do të merrem më me këtë temë, se VMRO-DPMNE nuk do të marrë pjesë në punën e Komisionit që e formoi Ministria e Drejtësisë. Unë nuk kisha ai që foli për modelin kroat. Gusht 2022, pasi e bënë problemin dhe pranuan diçka që nuk mund ta realizojnë, Dimitar Kovaçevski në konferencë për mediat e tha këtë.”- deklaroi Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Edhe nga opozitarja Alternativa thonë se nuk do të marrin pjesë në grupin e punës. Nga partia e Gashit me qëndrim se nuk mund të ketë grup të punës derisa nuk arrihet konsensus politik.

“Sipas nesh, nuk mund të ketë grupe të punës për përpilimin ose përgatitjen e ndryshimeve kushtetuese pa konsensus politik mes partive politike për përkrahjen e këtyre ndryshimeve. Përveç kësaj, Alternativa nuk mund të ulë në të njëjtën tryezë dhe të bisedojë mbi këtë temë me partitë që ende nuk u prononcuan për propozim -amendamentin e saj për luftë kundër korrupsionit politik.”- deklaroi Zeqiria Ibrahimi, Sekretar i Përgjithshëm i Alternativës.

Nga Lidhja demokratike e Pavle Trajanovit thonë po ashtu se nuk do të jenë pjesë e grupit të punës. Në kumtesën e kësaj partie thuhet se Trajanov mbetet në kërkesën për të pasur reciprocitet me Bullgarinë.

“Para se të fillojë procedura për futjen e bullgarëve në Kushtetutë, është e domosdoshme që Bullgaria të sigurojë reciprocitet dhe t’i njohë maqedonasit. Derisa Bullgaria e mohon popullin maqedonas dhe gjuhën maqedonase, Maqedonia nuk duhet të fillojë procedurë për ndryshimin e Kushtetutës. Andaj, Lidhja Demokratike nuk do të emërojë përfaqësues të saj në grupin e punës për ndryshimin e Kushtetutës.”- thanë nga Lidhja Demokratike.

Përveç këtyre partive, edhe akademiku Vllado Kambovski për të cilin pohohet se do të jetë pjesë e grupit të punës për ndryshimet kushtetuese, tha se pushteti së pari duhet të sigurojë konsensus nga partitë politike. Sipas tij, punët janë pozicionuar mbrapsht. Pasi të sigurohet konsensus, kryetari i Kuvendit e thërret Komisionin kuvendor ku do të dorëzohen propozimet për ndryshimet kushtetuese, tha Kambovski.