VMRO dorëzoi interpelancë kundër Xhaferit/ Ademi: Dorëzojnë interpelanca, pastaj kërkojnë të mos mbahen

TË FUNDIT

VMRO-DPMNE edhe zyrtarisht deri në Kuvend dorëzoi interpelancën për punën e kryeparlamentarit Talat Xhaferi. Nga grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së kërkojnë që Xhaferi ta vendosë interpelancën në seancë plenare dhe jo ta ruaj nëpër sirtarë si atë të kaluarën.

 “Kjo interpelancë është rezultat i kaosit që po ndodhë në Kuvend, ndërsa është nën direktivë të Xhaferit dhe si rezultat i shkeljes gjithnjë e më shpesh të Rregullores si dhe arbitraritetit të cilën e zbaton Xhaferi në Shtëpinë ligjvënëse me çka seriozisht e cenon imazhin e këtij institucioni. I ftojmë të gjithë deputetët e kësaj përbërje parlamentare që t’i bashkohen kësaj interpelance dhe bashkë t’i japim fund punës së këtij njeriu që ka përvetësuar këtë funksion dhe sillet sikur të ketë të drejtën të ofendojë, shajë, nënçmojë dhe të mbyll deputetë”- deklaroi Nikolla Miceski, VMRO-DPMNE.

Opozitarja Aleanca për Shqiptarët nuk treguan konkretisht nëse do ta mbështesin ose jo interpelancën kundër Xhaferit, por shpjeguan se sipas tyre gjitha ndodhitë e fundit me kryeparlamtarin Xhaferi është defokusim i opinionit publik.

“Të gjitha këto manifestime që po i shohim kohën e fundit janë një teatër i panevojshëm, sigurisht me rol kryesor Talat Xhaferi, i cili ka për qëllim që të zhvendose fokusin dhe vëmendjen e opinionit nga problemet e njëpasnjëshme, nga krizat e njëpasnjëshme, nga korrupsioni i madh, nga rritja e vazhdueshme e çmimeve, nga paralajmërimet për rritje të reja, inflacioni në përgjithësi, dështimet e njëpasnjëshme, huazimet dhe përpos gjithë kësaj mungese e suksesit”- tha Elmi Aziri, Ash.

Deputeti i BDI-së, Arbër Ademi, theksoi se VMRO-DPMNE di vetëm të dorëzojë interpelanca, pastaj kërkon të njëjtat të mos mbahen.

“Sa herë keni kërkuar që të mos mbahen seanca për interpelanca të ministrave edhe pse ju i keni propozuar. Njëherë ndonjë nga deputetët e juaj kanë qenë në udhëtime, njëherë se ka ndeshje futbolli, njëherë për diçka tjetër dhe tani e akuzoni kryetarin e Kuvendit se ai nuk dëshiron që të mbahen këto seanca. Të jemi të sinqertë, ju vetë i keni dorëzuar ato interpelanca dhe vetë keni kërkuar 3 herë radhazi që të mos mbahen ato seanca”- pohoi Arbër Ademi, BDI.

Kjo është hera e dytë që VMRO-DPMNE dorëzon interpelancë kundër Xhaferit. Interpelanca e sodit është për mbylljen e deputetëve në sallën ku po zhvillohej seanca plenare, si dhe audio incizimi i publikuar ku dëgjohen fyerjet dhe sharjet e Xhaferit, drejtuar shërbimeve të Kuvendit.