“VLEN të largohet nga Qeveria ose ta pranojnë se ishin Lista e dytë e VMRO-së” – Dauti thotë se emërimi i Stoillkoviqit është absurd

TË FUNDIT

Fronti Europian assesi nuk mund të pajtohet me propozimin e mandatarit për formim të Qeverisë, Hristijan Mickoski, që kryetari i Partisë Demokratike Serbe, Ivan Stoillkoviq, të emërohet ministër në Ministrinë për Marrëdhënie mes Bashkësive. Nënkryetarja e ASH-së, Ilire Dauti, thotë se Mickoski me këtë veprim ka relativizuar popullin shqiptarë, duke e bërë të barabartë me një popull që sipas regjistrimit të fundit doli të jetë vetëm 1,18%. Dauti në Daily Click, thotë se Mickoski këtë e mundësoi duke lidhur koalicion parazgjedhor me VLEN-in.

“Sepse ai parakushtet i krijoi fillimisht duke shpallur koalicion para se të mbahen zgjedhjet më 8 maj, me koalicionin VLEN. E rregulloi terrenin, këta ia mundësuan që ai më pas të sillet si të dojë. Madje edhe këtë pjesëtarin e komunitetit që janë shpallur për gjenocid, për shkak të mos respektimit të komuniteteve tjera brenda territorit të ish Jugosllavisë, të vendojë ministër që do rregulloka Marrëdhëniet mes bashkësive. Imagjinoni çfarë absurdi”, tha Dauti.

Ajo i bëri thirrje VLEN-it që ose të largohen nga qeveria dhe të japin vërejtje serioze ose të pranojnë se ishin lista e dytë e koalicionit të VMRO-së në këto zgjedhje. Duke komentuar deklaratën e sekretarit gjeneral të Alternativës, Zeqirija Ibrahimi se ata nuk e përshëndesin vendimin e Mickoskit, Ilire Dauti thotë se kjo nuk mjafton por duhet një reagim më i rreptë.

“Pse ka nevojë në politikë të përshëndesësh vetëm veprimet e tjetrit, të pëlqejnë ose nuk të pëlqejnë. Në politikë duhet reagim. Duhet reagim i rreptë. Ai njeri i cili përfaqëson atë që sapo e deklarova nuk mundet të vijë në krye të një ministrie që do të merret me bashkësitë etnike”, tha më tej Dauti.

Dje edhe Aleanca për Shqiptarët, pjesë e Frontit Europian, e sfidoi VLEN-in duke i kërkuar që para se ta votojë Qeverinë e re, të kërkojë nga Stoillkoviq të deklarohet publikisht për njohjen e Kosovës si shtet të pavarur, të distancohet nga Putini dhe Vuçiq, si dhe të deklarohet pro BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.