VLEN tha se për dy dekada BDI ka përdorur Marrëveshjen e Ohrit për përfitime politike, që siç tha “e paraqiti atë si themelin e veprimit të saj politik dhe e vendosi në qendër të narrativës së saj politike”, ndërkohë që kritikoi edhe mbështetjen për Ballkanin e Hapur duke i quajtur “ndryshim të prioriteteve”.
“Përballë këtij realiteti, lind një tjetër pyetje: çfarë fituan shqiptarët nga ky investim i madh politik? A u avancuan më tej të drejtat e garantuara nga Marrëveshja e Ohrit?
Përgjigja është JO.
Kjo dëshmohet edhe sot. BDI po bllokon miratimin e Ligjit për Përfaqësim të Drejtë, një e drejtë që buron nga Marrëveshja e Ohrit. Për më shumë se dy dekada, kjo parti nuk arriti ta realizojë këtë obligim, ndërsa sot kundërshton miratimin e tij vetëm sepse nisma ligjore është ndërmarrë nga VLEN.
Mbrojtja e Marrëveshjes së Ohrit nuk nënkupton vetëm përmendjen e saj në fjalime. Ajo kërkon angazhim të vazhdueshëm për zbatimin e plotë të saj dhe për vendosjen e interesit të shqiptarëve mbi çdo projekt politik që dëmton rajonin dhe interesat kombëtare”, tha VLEN.
