VLEN: Ky vit nuk është vetëm për pastrimin e hapësirave publike, por për pastrimin e skenës politike

TË FUNDIT

Në aksionin “Fundjava e pastrimit” pjesë morën edhe zyrtarë të koalicionit VLEN. Nga ky koalicion në një komunikatë për media theksojnë se ky vit nuk është vetëm për pastrimin e hapësirave publike, por edhe për pastrimin e skenës politike, transmeton TV21. Tutje nga VLEN thonë se fosilet e BDI-së që kanë ngelur në pushtetin lokal, do të dërgohen në histori.

“Por ky aksion nuk është fundi është vetëm fillimi. Sepse ky vit nuk është vetëm për pastrimin e hapësirave publike, por për pastrimin e skenës politike! Ne po hyjmë në vitin e pastrimit të madh ku qytetarët do të kenë mundësinë të largojnë mbeturinat politike që kanë bllokuar zhvillimin e vendit për vite me radhë. Fosilet e BDI-së, që kanë ngelur në pushtetin lokal pa asnjë vizion, do të dërgohen atje ku e kanë vendin, në histori, tek bashkëpartiakët e tyre në opozitë që të reformohen apo reciklohen”, thonë nga koalicioni VLEN.

Mes tjerash nga VLEN thonë se do të jenë zëri i ndryshimit në çdo komunë shqiptare.

“VLEN do të jetë zëri i ndryshimit në çdo komunë shqiptare. Ne ofrojmë alternativa konkrete të mirëqeverisjes si në pushtetin qendror ngjashëm edhe në atë lokal. Nuk kërkojmë thjesht pushtet, kërkojmë pastrim të thellë, të vërtetë dhe të qëndrueshëm”, potencojnë nga VLEN.