Koalicioni VLEN sot deri në PTHP ka ngritur kallëzim kundër Bujar Osmanit pasi revizorët konstatuan se mbi 120 milion denarë janë shpenzuar për Samitin e OSBE-së pa dokumentin dhe evidentim derisa ishte ministër i Punëve të Jashtëm.
“VLEN-i sot ka ngritu kallëzim deri te Prokuroria Publike që të veprohet lidhur me raportin negativ të Entit Shtetëror të Revizionit gjatë kohës kur ministër ishte Bujar Osmani. Revizorët konstatuan se mbi 120 milionë denarë u shpenzuan për Samitin e OSBE-së pa dokumentacion të duhur dhe evidencë. Kjo ngre dyshime serioze për mungesë transparence dhe keqpërdorim të fondeve publike. Nuk ka dëshmi se ku janë shpenzuar paratë. Prokuroria Publike duhet të hetojë. Kjo nuk është hera e parë. Edhe si ministër i Shëndetësisë, Osmani ka pasur raport negativ, ndërsa institucionet e kanë amnistuar. Sot nuk do të lejojmë të shohim të njëjtin skenar ku gjyqësori dhe prokuroria heshtin. Qytetarët meritojnë llogaridhënie dhe drejtësi. VLEN nuk do të heshtë”, theksoi Granit Osmani nga VLEN-i në konferencën e sotme për mediat para Prokurorisë Publike.
Nga ana tjetër, gjatë ditës Osmani ka deklaruar se gjithçka është e pastër sa i takon Samitit të OSBE-së.
“Unë e dorëzova të gjithë dokumentacionin në KSHPK dhe në Prokurori. KSHPK, pas disa javësh shqyrtime, doli me konstatim me shkrim se nuk ka asnjë parregullsi, dhe Prokuroria publike doli me të njëjtën konstatim – nuk ka asnjë parregullsi. Pra, kjo është një çështje e rregulluar“, tha Osmani./TV21