VLEN dalëngadalë po shkon drejt bashkimit në një subjekt politik. Trupi Koordinues i këtij koalicioni i formuar nga 9 përfaqësues, mes së cilëve edhe 4 liderët Arben Taravari, Izet Mexhiti, Bilall Kasami dhe Zeqirija Ibrahimi, u mblodh në Tetovë. Siç njoftuan nga VLEN ata po dëgjojmë kërkesat e votuesve dhe se vullneti i tyre është që VLEN të bëhet simbol i bashkimit kombëtar të shqiptarëve.
Kjo tregon edhe njëherë për frymën e bashkëpunimit që ekziston në kuadër të Koalicionit VLEN por njëherit edhe për kërkesën e votuesve të këtij koalicioni që dalëngadalë të shkojmë në drejtim të
homogjenizimit të strukturave apo ngritjen së një strukture të përbashkët me çka më mirë do të duhet t’i përgjigjemi kërkesa të votuesve tanë në drejtim të realizimit të projekteve dhe programit me të cilin fitoi legjitimitetin e votuesve shqiptare, u shpreh Bilall Kasami, BESA.
Por nëse ASH, BESA, LD dhe AAA shkrihen në një parti politike, kush do të ishte lideri i saj. Për këtë para disa ditëve Arben Taravari u pyet në Daily Click.
“E kush do të ishte atëherë lideri i këtij subjekti, a mund të jeni ju?
Nuk është kjo me rëndësi. Neve na duhet të kemi një kohezion brenda?
Juve ju kemi parë nëpër takime, shembull te z.Kurti në Prishtinë ju jeni ulur në ballë bashkë me të dhe anash qëndronin liderët tjerë?
Besoni se nuk i kemi ato komplekse mes nesh tash për tash. Uroj mos i kemi edhe më tutje”, tha Arben Taravari, Ash.
Nga VLEN gjithashtu njoftuan se hapi i radhës është promovimi i Komisionit të koalicionit për çështjet e zgjedhjeve, emërimeve dhe mbikëqyrjes së zbatimit të politikave, pastaj Qendra e përbashkët për komunikim me publikun dhe emërimin e një zëdhënësi të koalicionit.
