Nga partia VLEN thonë se bashkimi i pesë partive në një strukturë të vetme përbën konsolidim të ri politik në përfaqësimin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Në kumtesë, VLEN thotë se subjekti është forcuar dhe nuk është shpërbërë, si dhe kritikon përpjekjet e forcave të tjera politike për unifikim. VLEN thekson se prioritet mbetet barazia dhe përfaqësimi institucional i shqiptarëve në vend.
“Në këtë kontekst, edhe përpjekjet e kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, për të unifikuar partitë e të ashtuquajturit koalicion AKI në një subjekt të vetëm politik, kanë dështuar që në nisje, duke u përballur me refuzim të qartë nga partnerët e tij politikë, një tjetër dëshmi e krizës së brendshme të këtij kampi. Në njërën anë është VLEN, me vizion të qartë për reforma dhe zhvillim; në anën tjetër BDI, e pareformuar dhe e zhytur në skandale. Kjo përballje mes të resë dhe të vjetrës do të përcaktojë drejtimin e përfaqësimit politik të shqiptarëve. Pika qendrore e VLEN është shqiptari në Maqedoninë e Veriut: dinjitoz, i barabartë dhe institucionalisht i fuqishëm. Angazhimi ynë është për përfaqësim real në të gjitha institucionet dhe për barazi që ndihet në praktikë, jo vetëm në letër. VLEN do të veprojë që të drejtat e shqiptarëve të mos jenë simbolike apo objekt pazari politik. Shteti do të ndërmerr masa për zbatim të plotë të gjuhës, përfaqësimit dhe qasjes së barabartë në çdo institucion, duke garantuar një sistem të drejtë dhe funksional për të gjithë”, thuhet mes tjerash në kumtesën e VLEN-it.
