VLEN dhe VMRO do të shkëmbejnë ministritë? Kush do të bëhet ministër i Shëndetësisë?

TË FUNDIT

Pas vendimit të ASH-së për dalje nga Qeveria, brenda kabinetit qeverisës pritet të ketë rokada, gjegjësisht shkëmbim të dikastereve.

“Dera kur hapet dikush del dikush hy, kjo është shumë e vërtetë, ne presim të ndodhin disa zhvillime politike në skenën në Maqedoni”, tha Blerim Sejdiu – Vlen.                     

Ministria që do të preket është pikërisht ajo me të cilën drejtoi për 11 muaj kryetari i ASH-së Arben Taravari. Me shumë gjasa Shëndetësinë nuk do ta trashëgojë VLEN por do të kalojë në duar të VMRO-DPMNE-së, me çka në këmbim pritet që VLEN të udhëheq me Arsimin. Kështu u la të kuptohet nga intervista e Bilall Kasamit për 360 gradë.

“Tani çështja është në kombinimet në qeveri ngaqë, thënë më gjerësisht për pozicionet që kishte VLEN u hap kutia e Pandorës. Pozicioni ministër i shëndetësisë ishte e destinuar direkt për Taravarin, kur kërkuam që në qeveri të kemi ministrinë e shëndetësisë dihej se Taravarit dëshiron që të jetë ministër dhe bënim negociata që të kemi atë pozicion, tani me këtë realitet mund të ketë rokada.

Pra e mundshme është që të ketë rikonstruim të qeverisë?

Po është e mundur, jo në shkallë të gjerë por në disa aspekte po”, tha Bilall Kasami nga VLEN.

Një emër që u përfol në opinion se mund të vijë në krye të mantelbardhëve është ministrja e Arsimit Vesna Janevska.  E kur e pyet nëse pranon ta lëshoj këtë dikaster dhe të kalojë në Shëndetësi, ajo u përgjigj me buzëqeshje:

“Shteti ka kryeministër dhe ekip për negociata, kjo është punë e tyre, ata do të thonë se si do të jetë”, shtoi Vesna Janevska – Ministre e Arsimit .

Arben Taravari u emërua ministër i shëndetësisë më 22 qershor 2024, në kuadër të Qeverisë së re të udhëhequr nga Hristijan Mickoski. Ai ishte Ministër i Shëndetësisë edhe në qeverinë e parë të Zoran Zaev, kur e mbajti atë pozicion për gjithsej 151 ditë, apo rreth 5 muaj.