VLEN: BDI nuk pati zgjidhje të plotë dhe të qëndrueshme për emrat e rrugëve në Tetovë! Po përpiqet të kërkojë fajtorë diku tjetër

TË FUNDIT

Për emrat e rrugëve në Tetovë, VLEN tha se BDI po mundohet të kërkojë fajtorin diku tjetër, siç thanë, “Po të kishte bërë BDI punën e saj kur e kishte mandatin dhe fuqinë për ta bërë, sot nuk do të kishte as debat e as mjegull rreth kësaj teme”. VLEN tha se BDI nuk pati zgjidhje të plotë për emrat e rrugëve, që sipas tyre, më shumë se dy dekadash në pushtet lanë pas vetes një çështje të pambyllur dhe një problem që vazhdon të rëndojë mbi Tetovën.

Ata thanë se Komuna e Tetovës po punon për një zgjidhje të plotë, ligjore dhe të qëndrueshme të emrave të rrugëve me qëllim që kjo çështje të zgjidhet përfundimisht

“Sot, në vend që të japë llogari pse kjo çështje mbeti e pazgjidhur për më shumë se dy dekada, BDI përpiqet të flasë për afate njëvjeçare dhe të kërkojë fajtorë diku tjetër. Është e lehtë të kërkosh përgjegjësi nga të tjerët kur vetë ke pasur në duar të gjitha mekanizmat e pushtetit dhe nuk e ke zgjidhur problemin. Qytetarët e Tetovës e dinë mirë se gjatë gjithë këtyre viteve emrat e rrugëve u përdorën si temë për deklarata politike, por jo si çështje që duhej mbyllur njëherë e përgjithmonë. Po të kishte bërë BDI punën e saj kur e kishte mandatin dhe fuqinë për ta bërë, sot nuk do të kishte as debat e as mjegull rreth kësaj teme. Prandaj, para se të kërkojë llogari nga të tjerët, BDI duhet t’u tregojë qytetarëve pse pas më shumë se dy dekadash në pushtet la pas vetes një çështje të pambyllur dhe një problem që vazhdon të rëndojë mbi Tetovën. Në fund, faktet janë shumë më shumë se deklaratat politike. Tetova nuk e trashëgoi këtë problem nga VLEN. Tetova e trashëgoi nga ata që e qeverisën për vite me radhë dhe nuk e zgjidhën. Për dallim nga ata që për vite me radhë e lanë këtë çështje pezull, Komuna e Tetovës tashmë ka komisionin përkatës, i cili po punon për një zgjidhje të plotë, ligjore dhe të qëndrueshme të emrave të rrugëve. Qëllimi është që ky proces të mbyllet njëherë e përgjithmonë, me emërtime të harmonizuara, të regjistruara dhe të pakontestueshme, në mënyrë që qytetarët të mos përballen më me probleme që janë zvarritur për dekada. Tetova ka nevojë për zgjidhje, jo për justifikime. Prandaj energjia jonë është e përqendruar te mbyllja e këtij kapitulli, e jo te kërkimi i arsyetimeve për dështimet e së kaluarës”, tha VLEN.