Vjedhja e Bitcoin në vlerë të 6.7 miliardë $, dënohet shtetasja kineze

TË FUNDIT

Një shtetase kineze është dënuar për rolin e saj kyç në atë që konsiderohet si sekuestrimi më i madh i kriptomonedhave në botë, me vlerë mbi 6.7 miliardë dollarë.

Zhimin Qian, e njohur edhe si Yadi Zhang, u deklarua fajtore të hënën në Gjykatën e Londrës për përvetësim dhe posedim të paligjshëm të kriptomonedhës.

Sipas policisë metropolitane, mes viteve 2014 dhe 2017 ajo udhëhoqi një skemë mashtruese në Kinë, duke gënjyer mbi 128 mijë viktima dhe duke ruajtur fondet e vjedhura në bitcoin. Hetimi zbuloi se asaj iu sekuestruan gjithsej 61,000 bitcoin.

Autoritetet thanë se pranimi i fajësisë nga 47-vjeçarja erdhi pas një hetimi shtatëvjeçar mbi një rrjet global të pastrimit të parave. Hetimi filloi në vitin 2018, pasi policia mori informacion mbi transferimin e aseteve kriminale. Qian kishte arritur t’i shpëtonte drejtësisë për pesë vjet, derisa u arrestua pas një operacioni të ndërlikuar që përfshiu disa juridiksione.

Ajo kishte ikur nga Kina duke përdorur dokumente të falsifikuara dhe kishte hyrë në Mbretërinë e Bashkuar, ku tentoi të pastronte paratë e përvetësuara duke blerë prona luksoze.

Qian u ndihmua nga Jian Wen, 44 vjeçe, ish-punonjëse e një restoranti kinez, e cila u dënua vitin e kaluar me gjashtë vjet e tetë muaj burg për pjesëmarrjen e saj në këtë operacion kriminal. Wen kishte pastruar një pjesë të të ardhurave nga mashtrimi dhe u zhvendos nga jeta modeste mbi një restorant në një shtëpi me qira prej disa milionë funtesh në veri të Londrës.