Ministri i Punëve të Brendshme, Panço Toshkovski tha se barrën për zbardhjen e vjedhjes së bankomatit në Cërnicë të Shkupit e ka drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Sasho Tasevski. Edhe pse tashmë është bërë publike video ku shihet qartë se si veprojnë hajnat, Toshkovski tha se shpreson që Tasevski të ketë marrë masat e duhura për zbardhjen e rastit.
“Nga ana e shërbimeve në kuadër të Ministrisë po ndërmerren të gjitha veprimet operative që të zbardhet ky rast si të gjitha rastet tjera, përsëri e përsëris në opinion, se “komandën e artë”, operative dhe imperative në rol…në suaza të kësaj që ju po e përmendni, është drejtori i Byrosë për Siguri Publike, sipas përgjegjësive ligjore, ai është violina e parë në suaza të detyrave operative, komandimin dhe zbatimin e tyre deri në nivelin më të ulët. Shpresoj që do të japë gjithçka nga vetja që të zbardhet ky rast”, tha Toshkoski.
Në lidhje me rastin në rrugën “Kryengritja” në Cërnicë të Shkupit, nga MPB thanë se rasti ka ndodhur në orët e para të 1 prillit.
“Me datë 01.04.2024 në ora 03:58 në SPB Shkup është raportuar se në një market në zonën e komunës Kisella Vodë në Shkup, tre persona kanë kryer një “vjedhje të rëndë”, gjatë së cilës kanë marrë një kasafortë. Është kryer kontroll dhe po merren masa për zbardhjen e rastit” thanë nga MPB.
Nga video e siguruar nga TV21 shihet se si pasi vodhën bankomatin, hajnave u bie gjatë rrugës kasaforta, ndërsa të njëjtit arrijnë sërish që ta fusin në veturë dhe të largohen.
