Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka quajtur “dezinformata” deklaratat e disa “njerëzve brenda politikës” se ajo po i takon qytetarët vetëm këto ditë, dhe se këtë nuk e kishte bërë gjatë mandatit të saj presidencial.
Përmes një videos së publikuar në Facebook, Osmani ka ndarë edhe fotografi nga vizitat e saj brenda vendit gjatë mandatit si presidente.
“Përshëndetje. Meqenëse ka njerëz brenda politikës që po ankohen pse po i takoj qytetarët këto ditë, e disa madje dezinformojnë se këtë nuk e kam bërë më herët, ja e vërteta”, tha ajo.
Osmani tha se “këto vizita nuk janë ndalur asnjëherë”.
“Përgjatë pesë viteve mandat, vazhdimisht kam vizituar komunat, kam takuar qytetarët, kam mbështetur grupet e marxhinalizuara, kam qenë pranë njerëzve të vyer e të urtë të vendit tonë. Vizita në fshatra e lagje të ndryshme, në kopshte, në shkolla, në spitale, në institucione që e mbajnë këtë shtet të fortë. Dhe po, edhe në shoqatën e zjarrfikësve. Këto vizita nuk janë ndalur asnjëherë”, ka thënë Osmani ndër tjera.
Ajo tha se bazamenti i angazhimit të saj do të mbetet “lidhja me qytetarët”.
