Në vend që të përfundonte në tryezat e qytetarëve, 355 tonë ushqim vitin e kaluar përfunduan në deponi dhe u shkatërruan si të pasigurta. Mish, qumësht, peshk, vezë, pije të pasigurta. Tonelata u zbuluan gjatë kontrolleve në tregun e brendshëm, por edhe gjatë importit nga inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë. Shuma totale e gjobave të shqiptuara ka qenë 618 mijë euro. Nga AUV thonë se mbikëqyrjet inspektuese janë kryer mbi bazën e vlerësimit të rrezikut – objektet me rrezik më të lartë janë kontrolluar më shpesh.
“Ushqimi i konfiskuar dhe i shkatërruar në mënyrë të padëmshme përfshinte mish dhe produkte mishi, qumësht dhe produkte qumështi, fruta arrore, vezë, peshk, produkte të përpunuara si dhe pije alkoolike dhe joalkoolike, në një sasi totale prej 355.377 kilogramësh. Shuma totale e gjobave të shqiptuara në vitin 2025 arrin në 618.000 euro në kundërvlerë në denarë”, tha Oliver Milanov – drejtor i AUV-së.
Vetëm në qarkullimin e brendshëm, gjatë 47.200 kontrolleve, inspektorët kanë lëshuar 5.406 vendime, kanë shqiptuar 1.073 urdhërpagesa për kundërvajtje, si dhe janë paraqitur 10 kallëzime për kundërvajtje dhe 8 kallëzime penale.
Janë kryer edhe 78.016 kontrolle të dërgesave të importit dhe transitit, me ushqim me prejardhje shtazore dhe joshtazore, materiale që vijnë në kontakt me ushqimin, ushqim për kafshë dhe kafshë të gjalla.
“Si të pasigurta, janë shkatërruar tetë dërgesa me ushqim me prejardhje joshtazore në sasi prej 69.785 kilogramësh, ndërsa një dërgesë është kthyer në vendin eksportues. Po ashtu, si të pasigurta, gjatë këtyre kontrolleve janë shkatërruar edhe tri dërgesa me ushqim me prejardhje shtazore, në një sasi totale prej 22.061 kilogramësh. Në të njëjtën periudhë kohore, si të pasigurta, janë kthyer edhe 16 dërgesa me ushqim me prejardhje shtazore”, theksoi drejtori i AUV-së, Oliver Milanov.
Në total, vitin e kaluar janë realizuar mbi 125.000 kontrolle inspektuese, të cilat kanë përfshirë të gjithë zinxhirin – tregun e brendshëm, prodhimin, shpërndarjen, objektet hotelierike, si dhe importin dhe eksportin.
