Viti 2021 do të sjellë problem të ri me Covid-19, “Shtipi, Gostivari, Tetova, qytete me rrezik, qytetarët nuk respektojnë masat”

TË FUNDIT

Nisëm mirë, por në 3 muajt e fundit mosrespektimi i masave, na u kthye si bumerang, Kështu epidemiologu Karaxhovski e përshkroi gjendjen aktuale me koronavirus në vend.


“Kemi rritje të numrit të të infektuarve në vend dhe ky është fakt i pamohueshëm. Kemi edhe rritje të të vdekurve, por gjendja nuk është alarmante”, tha epidemiologu, Zharko Karaxhovski.

Temperaturat e larta duhej ta dobësonin virusin, por kjo nuk ndodhi. Karaxhovski thotë se bëhet fjalë për spekulim të madh.


“Rreziku është i njëjtë për të gjithë. Virusi nuk dobësoi në periudhën verore. Kjo ishte spekulim në mesin e njerëzve, kinse ja gjatë verës “u hapëm” në shtet dhe tani mund të jetojmë lirshëm. Ne duhet të mësojmë të jetojmë me dhe rreth virusit. Duhet të mësojmë se çdo ditë do të kemi raste pozitive. Kjo duhet pranuar, që të mund edhe sistemi shëndetësor të rezistojë në përpjekjet e tyre”, u shpreh Karaxhovski.

Komisioni për Sëmundje Ngjitëse e ndjek situatën dhe deri më tani ka mbajtur 120 seanca. Kemi bërë skenar të zi dhe rozë lidhur me zhvillimin e virusit.


“Ajo që më shqetëson është mosrespektimi i vazhdueshëm i masave nga ana e popullatës. Kolapsi ekonomik i shtetit do të thotë edhe kolaps i sektori shëndetësor. Ne nuk kemi punëtorë të rinj shëndetësorë, ne jemi ata që punojmë pa pushim dhe për fundjavë funksionojmë ashtu siç e imponon situata”, deklaroi Karaxhovski.

Aktualisht, zona të rrezikshme janë Shkupi, Shtipi dhe qytetet e rajonit të Pologut. Mjekët janë të mllefosur ndaj organizatorëve të tubimeve të mëdha, për të cilat, siç thonë, nuk kanë dhënë dritë jeshile.


“Jam i shqetësuar dhe i zhgënjyer nga sjellja e njerëzve tanë në rajonin e Ohrit, plazhet, hotelet, ahengjet e përbashkëta, shoqërimet, organizimet e ngjarjeve për të cilat nuk kemi dhënë leje që të organizohen. Mjafton që vetëm dikush të ketë thënë se mundet, pastaj kjo keqpërdoret. Më së shumti më intereson pse ata nuk ndëshkohen”, theksoi Karaxhovski.

Fillimi i vjeshtës do të jetë sfidë e veçantë, por njëkohësisht edhe vështirësi me të cilën do të duhet të përballet Ministria e Shëndetësisë. Përveç koronavirusit, do të fillojnë të paraqiten edhe sëmundjet e tjera të frymëmarrjes.


“Për festat e Vitit të Ri dhe Krishtlindjeve do të ketë valë të dytë me të cilën me siguri do të kemi kapacitet të shtuar të pacientëve që do të shtrohen në spital, do të komplikohet puna, sepse e dimë që 20% e kapaciteteve aktuale do të mbushen me sëmundje të grupit – sëmundje respiratore, e këtu para së gjithash është gripi”, potencoi Zharko Karaxhovski, epidemiolog.  

Tashmë po përgatitet zgjidhja për këtë problem. Është paraparë të vendosen 16 spitale mobile, siç ishte në Klinikën Infektive në Shkup.

 “Pasi jemi duke u bërë gati për një skenarë më të vështirë, ne kemi mundësi të bëjmë edhe 3 apo 4 institucione të tjera në të cilat do të mund të bëhet diagnostifikim. Me ato 11 që i kemi për momentin, planifikojmë të kemi edhe 3 të tjera, me çka do të marrim 200-300 mostra në ditë, me çka në nivel ditor do ta rrisim numrin nga 1.500 në 2.0002, thotë Karaxhovski.

Nga Ministria e Shëndetësisë, shtojnë se nuk ka asnjë masë tjetër për mbrojtje nga virusi e cila zbatohet në vendet e tjera dhe e cila nuk është zbatuar tek ne.