Një 37-vjeçare është pacientja më e re e shtrirë në Covid-qendrën e Tetovës. Ajo jeton në Itali e në Tetovë ka ardhur për pushime. Tashmë dhjetë ditë po trajtohet në spital dhe është më pasqyrë të rëndë klinike, njofton për TV21 koordinatori i Covid-Qendrës, Tetovë, Gëzim Nuredini. Në këtë qendër po trajtohen gjithsej 12 pacientë, prej të cilëve gjysma janë mërgimtarë, ndërsa janë gjendje të rëndë dhe oksigjenoterapi.
“Sa i përket moshës, një paciente e kemi 37 vjeçare, ndërsa tjerët janë mbi 65 vjeç. Normalisht se ne brenda tre javësh nuk patëm pacientë fare, por tani brenda 10-12 ditësh filloi të rritet numri gradualisht, duke pasur një, tre, pesë dhe tani kemi arritur deri në 12 pacientë. Çfarë është më e keqja, se tani kemi edhe pacientë që kërkojnë ndihmë në ambulancën-covid ku dje kemi pasur 25 pacientë, gjë që tregon se e ardhmja me siguri do të jetë me rritje të pacientëve”, deklaroi Nuredini.
Mjeku Gëzim Nuredini nuk parashikon skenar të mirë sa i përket situatës me Covid-19. Sipas tij, qytetarët kanë harruar se korona ende është në mesin tonë, ndërsa fajin ia lë lirimit të masave dhe interesimit të ulët për vaksinim.
“Besoj se një numër i madh si i pacientëve dhe qytetarëve kanë harruar se ende janë në pandemi dhe ende duhet t’i mbajmë maskat, duhet të mbajmë distancë, të mos grupohemi, por ja për fat të keq ne kemi një numër të madh dhe kjo me siguri është rezultat i numrit të madh të popullatës që e kemi tani verës, kemi edhe ahengje të ndryshme, dasma, kështu që kjo e vështirëson situatën”, sqaron më tej ai.
Nga Ministria e Shëndetësisë, njoftojnë se gjithsej 75 pacientë po trajtohen nëpër Qendra për Covid. Gjysma e pacientëve në 10 ditët e fundit kanë udhëtuar jashtë shtetit, këtu përfshihen edhe ata që kthehen nga pushimet.
“Gjithsej 75 pacientë pozitivë për Covid-19 janë shtruar në spital. Gjysma e pacientëve të shtruar në spital kanë udhëtuar jashtë vendit në periudhën nga 7 deri në 10 ditë përpara shfaqjes së simptomave”, thonë nga MSh-ja.
Ndonëse po vijon rritja e rasteve pozitive me virusin korona, nga autoritetet shëndetësore nuk flitet për vendosjen e ndonjë mase shtrënguese, as për qytetarët e as nëpër pika kufitare. Ministri Venko Filipçe kufizime paralajmëron vetëm për të pavaksinuarit duke nisur nga shtatori.
