Në lidhje me rastin e tre të burgosurve në Rastin e Kumanovës – “Lagjja e Trimave”, avokati i Popullit, Naser Zyberi është prononcuar para kamerës së TV21.
Ai ka njoftuar se për të dënuarin Arsim Bajrami tashmë ka filluar procedurë, ndërkaq për dy të tjerët është njoftuar nëpërmjet konferencës për media që e mbajti familjari Bujamin Selmani.
Ka njoftuar se ekipi i Avokatit të Popullit do të hyjë në Burgun e Shuto Orizares për të vlerësuar gjendjen e tre të burgosurve.
Kjo deklaratë e Zyberit vjen, ngaqë familjarët e të burgosurve në Rastin e Kumanovës – “Lagja e Trimave” kanë reaguar sot ndaj Drejtorisë së Burgut të Shuto Orizares, pasi siç thonë, drejtori për “dëshira dhe kapriço të veta”, ua mohon të burgosurve Arsim Barjamit, Musadik Pajazitit dhe Elham Arifit të drejtën e trajtimit – fundjavë e lirë.
Sipas familjarit, Bujamin Selmani, që të tre të burgosurit kanë respektuar të gjitha procedurat administrative për të kërkuar këtë të drejtë, edhe pse të gjitha komisionet që janë në kuadër të Burgut e kanë miratuar shfrytëzimin e kësaj të drejte, sërish drejtori e ka refuzuar një gjë të tillë.
