Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama publikoi sot një pjesë të bisedës që ka zhvilluar me presidentin e Ukrainës Wlodymyr Zelensky.
Rama bëri të ditur se Zelensky e falënderoi për atë se çfarë po bën Shqipëria për popullin e tij.
Ndërsa publikoi një video të shkurtë të një pjese te bisedës Rama po ashtu tha se i shprehu Zelenskyt gjithë admirimin dhe solidaritetin e popullit shqiptar në Shqipëri e në Kosovë.
“Sot pata një telefonatë nga Presidenti Zelensky, i cili më falënderoi për gjithçka Shqipëria po bën në këto ditë tragjike për popullin e tij, për Europën e për mbarë botën, duke nisur nga roli ynë si bashkëpenëmbajtës me SHBA në Këshillin e Sigurimit, tek ndihmat e dhëna për ushtrinë ukrainase, si edhe angazhimi intensiv në kanalet diplomatike me partnerë të rëndësishëm, në mbështetje të Ukrainës. I shpreha presidentit ukrainas të gjithë admirimin dhe solidaritetin e popullit shqiptar në Shqipëri e në Kosovë, me të dhe me rezistencën ukrainase, si edhe vullnetin e plotë për të bërë gjithçka mundemi në përmasën tonë të vogël, që Ukraina të triumfojë në luftën e saj liridashëse
“, shkroi Rama në Facebook, transmeton TV21.
