Kompania e veturave Volvo, ka thënë të martën se është në partneritet me gjigantin e kafesë Starbucks për të krijuar një rrjet publik të mbushjes së automjeteve elektrike që do të nisë këtë verë.
Prodhuesi suedez i automjeteve ka thënë se instalimet pilot do të përfshijnë deri në 60 mbushës të shpejtë të markës Volvo ChargePoint DC deri në 15 vendndodhje të dyqaneve Starbucks, raporton Reuters.
Volvo, e cila planifikon të ketë një mbushës të instaluar në çdo 100 milje, tha se pret që instalimet të përfundojnë deri në fund të vitit 2022.
Stacionet e karikimit mund të përdoren nga të gjithë drejtuesit e automjeteve elektrike me një tarifë. Megjithatë, pronarët e veturave Volvo mund t’i përdorin këto pa pagesë ose me tarifa preferenciale.
