Marka turke e automjeteve elektrike, Togg, ka hyrë në tregun evropian me dy modelet e saj të para, T10F dhe T10X, ndërsa që të dyja kanë marrë vlerësimin maksimal “pesë yje” nga Euro NCAP, përcjell TV21. Rezultatet për Mbrojtjen e Personave të Rritur janë ndër më të mirat nga veturat e testuara këtë vit: 95% për T10F dhe 94% për T10X.
Modelet në fjalë janë dizajnuar në bashkëpunim me Pininfarina dhe Murat Gunak, ndërsa prodhohen pranë Stambollit. Togg po pozicionohet si një prodhues automjetesh me inovacion teknologjik, me plane ambicioze për të eksportuar një milion automjete elektrike në Evropë deri në vitin 2030. Ky sukses i hershëm me pesë yje tregon seriozitetin e kompanisë për të konkurruar me emrat më të mëdhenj globalë në fushën e sigurisë dhe lëvizshmërisë.
“Kur Togg vendosi të bëhej konkurrent në tregun e automjeteve elektrike, kompania bëri deklarata të guximshme se modelet e saj të reja janë inxhinieruar në mënyrë rigoroze për të ofruar siguri të jashtëzakonshme dhe për të arritur vlerësimin pesë yje nga Euro NCAP. Pas testimeve të detajuara për T10F dhe T10X, ekspertët e Euro NCAP mbetën të impresionuar. Është e jashtëzakonshme kur një prodhues i njohur arrin pesë yje, por kur një kompani e re siguron vlerësime maksimale për dy automjetet e saj të para, kjo është e vërtetë e jashtëzakonshme. Togg mund të mos jetë shumë i njohur jashtë Turqisë, por shumë drejtues automjetesh do të dëgjojnë për të dhe do të respektojnë automjetet e saj pas këtij arritjeje”, shpjegon Dr. Aled Williams, Drejtor i Programit Euro NCAP.
