Veteranët e luftës, vazhdojnë ankesat për njohje të statusit

TË FUNDIT

Vazhdon të rritet numri i ankesave përmes të cilave pretendohet se u është bërë e padrejtë për Njohjen e Statusit të Veteranit, Invalidit, Pjesëmarrësit apo të internuarit të UCK-së. Deri më tani Komisioni kompetent ka pranuar rreth 8 mijë ankesa, që do të shqyrtohen më të përfunduar afati për ankesë. Megjithatë, zyrtarët e këtij komisioni nuk japin afat kohor se kur do të përfundojnë me shqyrtimin e ankesave në mënyrë që të dalin listat përfundimtare, duke thënë se posa të përfundoj afati i ankimimit do të fillojnë me shqyrtimin e tyre.

Veli Bytyçi kishte ardhur nga fshati Shkozë e Komunës së Malishevës, për të bërë ankesë, pasi pretendon se iu është bërë e padrejtë kur nuk e futën në listën e veteranit, por atë e kishin futur vetëm si pjesëmarrës. “Unë kam ardhur këtu sepse janë bërë disa të padrejta. Unë jam kyçur në luftë me 5 maj 1998, e deri në mbarim të luftës, derisa këta me kanë qitur pjesëmarrës. Ka njeri që nuk ka marr pjesë në luftë e janë të kyçur veteran. Unë e di që 46 kemi qenë ushtarë në fillim të luftës. Mobilizimin kemi bërë më vonë. Unë e lypi drejtën time si veteran, e jo pjesëmarrës”, thotë Bytyçi.

Ndërsa, kryetari i Komisionit Agim Çeku, tha se deri më tani janë diku 16 për qind apo rreth 8 mijë aplikanë që kanë bërë ankesa, të cilët pretendojnë se u është bërë e padrejtë. Mirëpo, ai nuk ka dhënë afate se kur mund të përfundojnë këto ankesa, sepse të gjithë ata akterë që janë përfshirë në këtë proces po bëjnë një punë voluminoze, derisa ka theksuar se ky proces nuk do të dështojë, pavarësisht se dikush punon për dështimin e tij. “Jo, jo procesi nuk do të dështojë. Do të dështojnë ata që dëshirojnë dhe ka të tillë që punojnë për të dështuar këtë proces, por procesi nuk do të dështojë”, theksoi ai.

Avokati Afrim Salihu, thotë se ka pasur shumë persona të cilët iu kanë drejtuar për t’ua bërë ankesat, meqë pretendojnë se u është bërë e padrejtë kur u është refuzuar statusi i veteranit.Ai shton se shumica dërrmuese e tyre kanë fakte, ku disa nga ta kanë kartela identifikimi, certifikata nga ish-Trupat Mbrojtëse të Kosovës, deklarata të shkruara nga komandantët e tyre dhe fotografi ku shihet se kanë qenë në luftë.Avokati Salihu thotë se ka pasur persona nga të gjitha zonat që i janë drejtuar, nga zona e Karadakut, e Llapit, por numrin më të madh e ka pasur nga Zona e Pashtrikut.
Deri tani janë publikuar listat preliminare të të gjitha zonave operative dhe Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, megjithatë pjesëtaret e Policisë Ushtarake dhe Fondit “Vendlindja Thërret”, ende nuk janë në këto lista.