Vera e nxehtë “çeli” disa parti! Për dikë është demokratike, për dikë përçarje

TË FUNDIT

Vera 2023 nxori në sipërfaqe disa parti politike sidomos te blloku shqiptar. Kjo nuk i ka pëlqyer kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti.

 “Turp i botës është për shqiptarët! 6 delegacione shqiptare aty, dy maqedonase janë! Një i opozitës, një i pozitës! Vjen Besa me gjashtë veta brenda vetes, se nuk i besojnë njëri-tjetrit, vjen Sela me 3 a 4, vjen z.Thaçi me 2 a 3, shkon Ali Ahmeti me 2 a 3, vjen gëzim Ostreni me 2 a 3, turp i botës jemi bërë”, deklaroi Ali Ahmeti – kryetar i BDI.

Fjalët e njëjta pothuajse i përsëriti edhe kryetari i ASH-së Arben Taravari, partia e të cilit doli nga PDSH.

“Unë nuk shoh seriozitet, jemi bërë 10 parti, jemi bërë gazi i botës. Jemi bë pikë e pesë, duke u ndarë e duke mos ditur kush me kë punon”, tha Arben Taravari – Kryetar i ASH-së.

Pas përçarjes së Lëvizjes Besa doli partia Alternativa. E për numrin e madh të partive, Afrim Gashi fajëson pikërisht Ahmetin.

“Me u pas marrë BDI-ja, me pas harxhu kaq shumë energji me punë në Qeveri sa harxhon  energji me prish opozitën deri tash kishim me i pas 30-40 deputetë skish me pas asnjë parti tjetër shqiptare. Po për fat të keq ata më shumë janë të fokusuar si si t’i hidhërojnë dhe si t’i prishin tjerët”, theksoi Afrim Gashi – AAA.

Këtë verë i pari parti formoi Izet Mexhiti duke u shkëputër nga BDI.

“Krejtësisht u përjashtuam nga BDI me deklarata që ju dhemb shpirti, ju dhemb zemra, mirëpo veprimet janë të regjimeve të Gruevskit të Thaçit, apo një simbiozë e tyre që në mënyrë të rreptë largohet çdonjëri që mendon ndryshe”, tha Izet Mexhiti – LD.

Besa u përça edhe njëherë me Arjanit Hoxhën, i cili themeloi PDE.

Ndërkohë dje në SummerClick edhe Skender Rexhepi Zejdi zyrtarisht tha se do të themelojë parti.

“Kështu që sipas gjitha gjasave do të rrugëtojmë në një rrugëtim të ri politik, bashkë me strukturat që i kemi”, tha Skender Rexhepi Zejdi- deputet.

Por analisti Imer Slemani, hapjen e partive të reja nuk e sheh si gjë të keqe.

“Unë i inkurajojë mirë është që të rinjtë të rejat të merren me politikë, për shkak se e vetmja mënyrë për me i ndryshu gjërat është të artikulohemi ne politikisht. Do të ishte një kapitull i errët kohor nqs të rinjtë dhe të rejat, të moshuarit të pjekurit, bëhen indiferent ndaj ndodhive politike. Ajo do të ishte nëse ne e arrijmë standardin e Zvicrës ose demokracinë skandinave dhe atëherë po , nuk do të na interesonte politika”m tha Imer Selmani, analist.

Megjithatë edhe përskaj numrit të madhe të partive, në zgjedhjet ardhshme te blloku shqiptar pritet të ketë dy taborë. Fronti Europian dhe Blloku opozitar.