VENDOSI TABELA SATIRIKE, POLICIA E MERR NË PYETJE, KASAMI: NËSE BËNI KËSHTU ME AKTIVISTËT, UNË DO BËJ GRAFITE

TË FUNDIT

Ditën e djeshme në rrugët e qytetit të Tetovës, u vendos një shenjë komunikacioni ku tregonte rrugën për tek selia e BDI-së në atë shenjë shkruhej “Shtëpia Publike BDI”.

Këtyre shenjave sot ia pa sherrin Artan Etemi, aktivist i Lëvizjes Besa.

Artanit herët në mëngjes i kishte ardhur një letër që duhet të paraqitet në polici. Pas marrjes në pyetje nga sektori për punë të brendshme në Tetovë  ai thotë se po i bëhet presion politik.

“Në shtëpinë time dy policë kanë dërguar thirrjen për në polici në thirrje shkruhej ora 9 ndërsa mua thirrja më është dërguar në ora 09:05. Kam kontaktuar me policinë më tha që të shkoj në stacionin e tyre. Policia na akuzon neve se kemi vendosur disa tabela dhe grafitë që u panë më herët në qytetin e Tetovës, për momentin jam i informuar se vetëm unë jam i thirrur në polici”, theksoi Artan Etemi.

Në stacionin e policisë së Tetovës sot ishte edhe kryetari i Lëvizjes Besa, Billall Kasami. Ai thotë se nëse do të vazhdojë ky presion  do të dalë vetë dhe do të bëjë grafite në rrugët e Tetovës.

“Paralajmëroj publikisht që nëse vazhdon ky presion ndaj aktivistëve të Lëvizjes Besa unë si kryetar, nga e Hëna do të bëj të njëjtat veprime dhe le të urdhërojnë të më burgosin. Të gjitha ato veprime tabela që janë vendosur për të identifikuar një grup kriminel, një grup të cilin supozohet se janë të kriminalizuar të korruptuar të cilët kanë keqpërdorur pozitat për këto 15 vite duke dëmtuar interesin e shqiptarëve”, deklaroi kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim thonë se partitë opozitare duhet të ndalen me grafitet duke theksuar se besimi i popullit nuk fitohet në atë mënyrë.

“Mendoj që partitë opozitare duhet të ndalen me budallallëqe të tilla se nuk fitohet besimi i popullit në atë mënyrë por tu japim një sugjerim të ulen dhe të përpunojnë program dhe projekte se qeverisja nuk është lojë fëmijësh por përkushtim serioz i njerëzve me dije dhe eksperiencë për të bërë jetën e njerëzve më të mirë”, thonë nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

Nga sektori për punë të brendshme Tetovë thonë se janë duke kryer hetime për të zbardhur rastin.

“Gjatë natës më datë 10 dhe 11 korrik, deri tani persona të panjohur, në 10 lokacione, gjegjësisht udhëkryqe në Tetovë, në shtyllat  metalike të shenjave të komunikacionit, kanë vendosur tabela prej druri, me afishe të cilat kanë qenë të shkruara përmbajtje poshtëruese, të drejtuara në adresë  të partisë politike. Janë kryer hetimet dhe rasti është duke u zbardhur”, thonë nga Sektori për Punë të Brendshme Tetovë.

Gjatë ditës së sotme në Tetovë ishin hequr të gjitha shenjat që u vendosen dje ku tregonin vendndodhjen e selisë së Bdi-së në  formë përçmuese.

Përgatiti: Afrim Jonuzi