Vendimet gjyqësore shtinë në sherr vëllain me vëlla! Shtëpia në Qendër të Ohrit fshihet nga Kadastra, Halili nuk mund ta shkruaj mbi vete!

TË FUNDIT

Kjo shtëpi i është lënë trashëgimi Halil Musës nga prindërit e tij. Nëna e tij ndërroi jetë para thuajse 1 viti por që atëherë ai ende nuk ka arritur t’i regjistrojë dokumentet e shtëpisë mbi emrin e tij. Fillimisht ka hasur në problem me vëllain e tij i cili pas vdekjes së prindërve ka dashur të ketë hise në shtëpi edhe pse hisen e tij ai tanimë e ka pasur në një pjesë tjetër të qytetit.

Ky dokument siç thotë Halil Musa vërteton se shtëpinë ia ka lënë nëna trashëgimi deri në fund të jetës së tij.

Një marrëveshje e tillë në qytetet tjera mund të realizohet pa gjykatë dhe pa noter, por ai ka hasur në vështirësi të mëdha.

“Problemi është se kam mbështetje gjatë gjithë jetës të cilën nuk mundem ta realizojë. Nëna ime vdiq ndërsa unë me atë kam marrëveshje për mbështetje gjatë gjithë jetës, dhe unë këtë nuk mund ta realizoj për shkak se e pengojnë , notar, gjykatësi, tani për tani mendoj se janë të korruptuar edhe noteri edhe dikush nga gjykata”, tha Halil Musa.

Por sikur të mos mjaftonte kjo në dy muaj më parë me kërkesë të vëllait të Halilit u fshi edhe shtëpia nga kadastra në Ohër sikur të mos ekzistonte më.

Edhe pse siç thotë Halili shtëpia posedon të gjithë dokumentacionin e nevojshëm të ndërtimit dhe leje ndërtimit sepse këtu ekziston mbi 100 vjet.

Ky dokument vërteton vendimin e Gjykatës Supreme për mos fshirjen e shtëpisë nga kadastra, kjo gjykatë ka hedhur poshtë kërkesën për fshirje të shtëpisë nga kadastra. Por kjo shtëpi sërish është fshirë nga kadastra pavarësisht këtij vendimi.

 “Ka 8 ose 9 muaj që merremi me shtëpinë , ata për të qenë më të fortë, në një mënyrë nëpërmjet kadastrës dhe gjykatës e kanë bërë që të fshihet kjo shtëpi të cilën e shihni këtu pas meje. Kjo shtëpi figuron mbi 100 vite dhe figuron dokumentacioni plotë për këtë shtëpi. I gjithë dokumentacioni është në kadastër. Kur vëllai bëri kërkesë herën e parë gjykata e refuzoi edhe gjykata e lartë edhe gjykata e shkallë së parë. Ndërsa herën e dytë dhe të tretë nuk e di si ndodhi gjykata jep vendim të fshihet shtëpia”, u shpreh Halil Musa.

Halili hodhi akuza të rënda drejt gjykatësve të Ohrit duke thënë se ata luajnë ashtu siç u thotë vëllai i tij.

“Kjo shtëpi është fshirë me kërkesë të vëllait tim, dhe me kërkesë të vëllait tim gjykatësit luajnë ashtu siç ai bënë muzikën”, shtoi Halil Musa.

Ai kërkon nga autoritetet të ndërmarrin masat e duhura dhe të veprojnë sipas ligjit të RMV-së. Ai nuk kërkon asgjë tjetër vetëm se të mund ta transferojë shtëpinë mbi emrin e tij dhe të rregullohet çështja e kadastrës siç ka qenë sepse ajo shtëpi në qendër të qytetit të Ohrit figuron aty prej vitesh dhe e ka të gjithë dokumentacionin e nevojshëm tha ai.