“Vendi ynë dështoi të ndërtojë shoqëri për të gjithë” – transgjinorët reagojnë për tërheqjen e ligjit

TË FUNDIT

Nisma për mbrojtjen dhe promovimin e personave transgjinorë, ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë për ta tërhequr nga Kuvendi projektligjin për të dhënat personale, përmes të cilit mundësohet edhe ndryshimin deklarativ i gjinisë në dokumentet personale me deklaratë në noter.

Lila Miliq nga kjo nismë tha se me këtë vendim shteti po i lë transgjinorët pa asnjë mbrojtje ligjore, e cila është e garantuar me standardet ndërkombëtare.

“Me këtë vendi ynë së pari dështoi të ndërtojë shoqëri për të gjithë, në prizmin e së cilës erdhën në pushtet. Së dyti nuk arrin të përmbushë detyrimin e Gjykatës Evropiane për Drejtat e Njeriut. Kërkesat e grupeve të caktuara parlamentare për ndryshime në ligj që do të parashikonin ndërhyrje të dhunshme mjekësore ndaj transgjinorëve siç janë diagnostikimi, terapi hormonale, kirurgji si parakusht për qasje në njohjen ligjore të gjinisë është në kundërshtim me Kushtetutën e RMV-së e cila garanton integritetin trupor të të gjithë qytetarëve të saj”, tha Miliq.

Natasha Boshkova, avokate e Koalicionit “Margjinat” tha se ligji nuk është lexuar nga ana e deputetëve prandaj edhe ka polemika, ndërsa hodhi poshtë akuzat se ky ligj mund të keqpërdoret.

“Personi që kërkon ndryshimin e të dhënave gjinore nënshkruan një deklaratë të noterizuar në të cilën tregon qartë se po bën ndryshimin për shkak të harmonizimit të identitetit gjinor me shenjen gjinore në evidencat personale dhe nën garancitë e përgjegjësisë materiale, penale dhe morale siguron që nuk synon t’i shmanget një kontrate ligjore ose ndonjë detyrimi tjetër”, tha Boshkova.

Shoqatat që merren me të drejtat e komunitetit LGBTI presin që sa më shpejtë ligji të rikthehet në procedurë parlamentare, sepse nuk ka implikime buxhetore ose ndonjë efekt tjetër negativ.