Vendet perëndimore në letrën drejtuar KS të KB-së: Helmimi i Navalnit është kërcënim për paqen ndërkombëtare

TË FUNDIT

Helmimi i liderit rus të opozitës Aleksei Navalni paraqet kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, sipas një letre nga Britania, Franca, Gjermania, Estonia dhe Belgjika drejtuar Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Në letrën dërguar të mërkurën, ato vende i bënë thirrje Rusisë që menjëherë, plotësisht dhe në mënyrë transparente të zbulojë rrethanat e sulmit dhe të informojë Këshillin e Sigurimit.

Ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Vasilj Nebenzia, u tha gazetarëve se autoritetet ruse ishin ende duke pritur që Gjermania dhe Franca t’i përgjigjeshin kërkesës së tyre për prova në mënyrë që Moska të përcaktojë nëse ishte i nevojshëm hetim.

Navalni u sëmur më 20 gusht në një fluturim nga Siberia në Moskë dhe pas trajtimit në një spital në Omsk, ai u transferua në një klinikë në Berlin. Ekspertët gjermanë pretendojnë se në trupin e tij ka gjurmë të agjentit nervor Noviçok, i cili është nga epoka Sovjetike. Navalni fajësoi Rusinë për helmimin dhe Moska e mohon atë.