Vendet evropiane po përballen me mungesë të “Remdesivir”, i cili përdoret për t’u trajtuar nga Covid-19, duke marrë parasysh furnizimet e kufizuara për shkak se sasi të mëdha të ilaçit të prodhuar nga kompania “Gilead”, janë shitur në tregun amerikan.
Në korrik të këtij viti, vendet e BE-së dhe Britania e Madhe, të cilat së bashku kanë popullatë prej rreth 500 milionë banorë, siguruan doza “Remdesivir” për 30.000 pacientë.
SHBA-ja ka nënshkruar marrëveshje me “Gilead” për të shitur më shumë se 500.000 doza, që është pjesë më e madhe e prodhimtarisë së kompanisë në muajin e kaluar.
“Ka mungesë të remdesivir”, deklaroi Martin Jansen, zëdhënës i Ministrisë holandeze të Shëndetësisë, duke shtuar se dërgesa të reja priten së shpejti.
Barnat antivirale janë dëshmuar për të përshpejtuar shërimin në rastet më të rënda të Covid-19.
“Remdesivir” dhe “deksametazoni kortikosteroid” janë ilaçet e vetme të aprovuar në Evropë për trajtimin e koronavirusit.
Të dy ilaçet u morën nga presidenti i SHBA-së Donald Tramp, i cili gjithashtu po trajtohet me koktej eksperimental të antitrupave.
Numri i personave të shtruar në spital në Evropë po rritet, megjithëse në shumicën e vendeve është akoma më i ulët se në pranverë.
“Për shkak të numrit në rritje të pacientëve të pranuar në spital, kërkesa për remdesivir po rritet në mënyrë drastike”, theksoi Jansen.
Ministri polak i Shëndetësisë Adam Niedzelski deklaroi se ilaçi nuk ishte i disponueshëm në disa spitale. Dërgesa e fundit e “Remdesivir” për Poloninë arriti të premten e kaluar. /MIA
