Vdekja e Teodora Ristovskës në aksident trafiku, Prokuroria e Tetovës ankimon vendimin e Gjykatës në Tetovë

TË FUNDIT

Prokuroria Themelore në Tetovë ka ankimuar vendimin e 7 prillit të Gjykatës Themelore në Tetovë, në lidhje me rastin e aksidentit në komunikacion që ndodhi më 15.08.2022, ku vdiq 22-vjeçarja Teodora Ristovska, përcjell TV21. Prokuroria ka ankimuar vendimin e gjykatës, me të cilin Mensur Pajaziti u dënua me 2 vjet burg.

“Prokuroria Themelore Publike në Tetovë e ka marrë parasysh mendimin e Këshillit Gjyqësor të paraqitur në lidhje me këtë lëndë para se të hyjë në fuqi ligjërisht. Mirëpo, duke qenë se Prokuroria Publike në procedurën paraprake për këtë ngjarje në asnjë moment nuk është pajtuar me dënimin me dy vjet burgim, prokurori publik kompetent mendon se ka ende hapësirë ​​për korrigjim të sanksionit. Gjithashtu, interesi i përgjithshëm publik, i shkaktuar nga shpeshtësia e veprave të këtilla si dukuri, tregon nevojën e forcimit të politikës penale si mekanizëm parandalues, prandaj prokurori publik vendosi të shfrytëzojë mundësinë ligjore dhe të kërkojë nga Gjykata e Apelit të Gostivarit ndryshimin e dënimit në dënim më të lartë. Gjithashtu, familja e viktimës, e cila nuk ka të drejtë ankese në këtë fazë të procedurës, i ka kërkuar Prokurorisë që të apelojë vendimin”, thuhet mes tjerash në reagimin e sotëm të Prokurorisë.