Vazhdon trendi i zvogëlimit të numrit të të infektuarve dhe të vdekurve, por edhe përqindja e rasteve pozitive nga të testuarit

TË FUNDIT

Sipas raportit javor të Institutit për Shëndet Publik  në periudhën nga data 21 deri në 27 të këtij muaji janë testuar gjithsej 13.123 materiale në laboratoritë  në të cilat  zbatohet  testimi molekular dhe testimi antigjen për praninë e SARS-CoV-2, me zvogëlim prej 15,9 për qind  në krahasim me javën e kaluar.

Siç kumtoi Ministria e Shëndetësisë, janë regjistruar 3.372 raste të reja pozitive nga 35 qytete në shtet me zvogëlim prej 26,5 për qind në krahasim me javën e kaluar. Pjesa më e madhe e rasteve të regjistruara janë nga Shkupi (n=1.429; 42,4%), me incidencë javore – 231,4/100.000.

Në periudhën  e raportimit përqindja e rasteve pozitive nga të testuarit  për SARS-CoV-2 arrin 25,7 për qind, zvogëlim prej 3,6 për qind në krahasim me javën e kaluar.

“Janë regjistruar  persona të sëmurë  në të gjitha grupmoshat.  Më e përfaqësuar  është grupmosha e personave  të moshës mbi 60 vjet (n=910, 27,0%). Një numër i madh i të sëmurëve  janë regjistruar edhe te personat   në grupmoshat madhore  30-39 (n=665; 19,7%), 40-49 (n=589; 17,5%), 50-59 (n=587; 17,7%) dhe 20-29 (n=414; 12,3%). Numër më i vogël është regjistruar  te fëmijët  prej 0-9  (n=52; 1,5%) dhe 10-19 vjet (n=145; 4,3%), potencojnë nga Ministria.

Pas dy testeve të marra negative për praninë e SARS-CoV-2 ose me përdorim të algoritmit të ri, si të shëruar  udhëhiqen 4.500 persona  të cilët ishin hospitalizuar ose janë në shërim shtëpiak,  dukshëm më pak në krahasim  me javën e kaluar.

Janë paraqitur 129 raste të vdekjes nga 23  qytete, 30 më pak ose 18,9 për qind në krahasim  me javën e kaluar. Në krahasim me moshën, 105 persona ishin  të moshës mbi 60 vjet, 20 persona të moshës prej 50-59 vjet dhe  katër raste të vdekjes  janë paraqitur  nga grupmosha 40-49 vjet.

Raporti detajor i Institutit për Shëndet Publik për gjendjen me Kovid-19 në  periudhën  prej 21 dhe 27 dhjetor  të këtij viti, si dhe  gjendja kumulative  me Kovid-19 në Republikën e Maqedonisë së Veriut publikohet në ueb faqen e Institutit për Shëndet Publik.