Vazhdon “telenovela” me pllakën e Nënës Terezë! U hoqën gurët që u vendosën dje, do të vendosen tjerë

TË FUNDIT

Vazhdon “telenovela” me pllakën përkujtimore të Nënës Terezë në sheshin e Shkupit.

Njëherë nuk la rrugë për të arritur deri te ajo, por pas reagimeve të shumta u vendosën disa gurë, që sa për “sy e faqe” të thuhet së është bërë një rrugë për qasje deri te pllaka. E sot ato gurë janë hequr.

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov thotë se do të vendosen gurë tjerë.

“U përpoqëm që pa shpenzuar para publike të mundësojmë një qasje deri te pllaka përkujtimore. Ashtu se si do të duket, gjatë ditës së sotme do të vendosen dhe t’u përgjigjemi kërkesave të shoqatave dhe ta mbrojmë pasqyrën e Nënës Terezë që të ketë qasje të papengueshme deri te pllaka”, tha Petre Shilegov kryetar i Qytetit të Shkupit.

Ndërkaq drejtori i Institutit për trashëgimi kulturore Skender Asani dje paralajmëroi se nëse nuk do të ndërtohet rrugë deri tek vendi i shtëpisë së Nënë Terezës, do të ketë edhe reagime tjera.

“Po që se neglizhohet kjo dhe manipulohet ky reagim i yni, unë besoj se kështu si jemi mbledhur sot, ne do t’i përdorim edhe reagimet tjera si institucionale por edhe qytetare”, tha Skender Asani, drejtor i ITKSHSH-së.

Reagimeve u janë bashkëngjitur edhe Shtëpia Muze “Nënë Tereza”, Universiteti “Nënë Tereza” dhe shoqatat “Nënë Tereza” në Strugë dhe Shkup.  Debati për bllokimin e pllakës ka një javë që po zhvillohet, por ende pa zgjidhje të denjë.

Pllaka përkujtimore u bë problematike sepse u bllokua nga gjelbërimi që u vendos nga një firmë e cila është anonime. Pati reagime nga publiku duke u kërkuar të krijohet rrugë që turistët të mund të afrohen deri te pllaka përkujtimore e shtëpisë memoriale të Nënës Terezë.