Vazhdon të heshtet dhuna në familjet strugane. Shkak janë traditat, zakonet dhe stereotipat!

TË FUNDIT

Në Strugë gratë vazhdojnë ta fshehin dhunën që po ushtrohet ndaj tyre. Këtë e thonë statistikat e Qendrës sociale. Në një rajon me mbi gjashtëdhjetë mijë banorë, ka mesatarisht 10 raportime për dhunë në familje çdo vit.
Viktimat janë kryesisht heshtin dhe sipas sociologëve, arsyeja e mos raportimit janë traditat si dhe mësimi se gruaja çdo herë duhet të heshtë dhe të duroj në shtëpinë e burrit.

“Dhuna në familje është prezentë në Strugë dhe rrethinë, por fatkeqësisht numri i denoncimeve është zvogëluar në Qendrën e Strugës. Më së shpeshti viktima është grua dhe arsyet janë ekonomike, sociale, alkoolizmi e të tjera”, Mehmed Halili, drejtor i Qendrës për Çështje Sociale në Strugë.

Qendra për Çështje Sociale po zhvillon një fushatë për dhunën në bazë gjinore me qëllim inkurajimin e grave viktima dhe tejkalimin e stereotipave.

“Fushata ‘Ne jemi me ju – së bashku kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave’ është duke u zhvilluar. Ne si institucion promovojmë barazinë gjinore dhe eliminimin e stereotipave për rolet gjinore bazuar në kulturë, zakon, besim, traditë dhe praktika të tjera”, tha Halili.

Sociologët thonë se gratë në rajon vuajnë dhe vazhdojnë të jetojnë me dhunuesin, nuk kërkojnë mbrojtje. Arsyeja është gjendja e keqe ekonomike e viktimave, frika dhe statusi i gruas në familje.
Deri më tani asnjë grua nga Struga nuk i ka shfrytëzuar shërbimet e Qendrës rajonale për strehimin e viktimave në Ohër.