Kuvendi, sot do të vazhdojë seancën për zgjedhjen e zëvendësministrave në Qeveri. Vazhdimi i seancës u planifikua nga kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi për në orën 14:00, por, siç njoftoi ai, është e mundur që të zgjatet për shkak të kryesimit të Këshillit për Siguri tek presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski.
Kryeministri Zoran Zaev, dje në elaborimin para deputetëve për listen e propozuar të zëvendëëministrave, theksoi se pret nga ata të kyçen në realizimin e prioriteteve të Qeverisë.
“Ballafaqimin me pasojat e pandemisë, krijimin e kushteve për cikël të ri të rritjes ekonomike dinamike, zhvillim të qëndrueshëm, shtet juridik efikas, institucione të fuqishme. Gjithsesi përkushtim maksimal presim edhe për krijimin e arsimit bashkëkohor, kohezion të brendshëm shoqëror stabil…Prej tyre pres edhe pjesëmarrje aktive në të gjitha aktivitetet si vend anëtar në NATO dhe përfshirje maksimale në proceset për fillim dhe përfundim të negociatave për kapitujt e anëtarësimit në BE, si dhe në politikat për marrëdhënie të mira ndëretnike dhe ndërfqinjësore”, tha Zaev.
Ai shtoi se Qeveria edhe më tutje do të mbetet e orientuar drejt realizimit të Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, të cilat, siç tha, kanë mundësuar anëtarësimin në NATO dhe vendim për fillim të negociatave me BE-në.
Propozimin për zgjedhje të zëvendësministrave Qeveria deri tek Kuvendi e dorëzoi të premten e kaluar.
Për zëvendësministër i Mbrojtjes është propozuar Bashkim Hasani, në Ministrinë e Punëve të Brendshme Nazim Bushi, ndërsa në resorin e Drejtësisë propozim për zëvendësministër është Agim Nuhiu.
Ilhan Rahman është propozuar për zëvendësministër në Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie midis Bashkësive, ndërsa Fatmire Isaki për zëvendësministre e Punëve të Jashtme.
Në Ministrinë e Financave, zëvendësministër duhet të jetë Dimitar Kovaçevski, ndërsa në Ministrinë e Ekonomisë është propozuar Zoran Manevski. Në Ministrinë e Bujqësisë zëvendësministër është propozuar Trajan Dimkovski, i cili më parë e ka kryer funksionin ministror në Ministrinë e njëjtë.
Mjeku Ilir Hasani është propozuar për zëvendësministër në Ministrinë e Shëndetësisë, Arafat Shabani është propozuar në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Enver Husejin në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, Zoran Dimitrovski në Ministrinë për Vetëqeverisje Lokale dhe Sedat Sulejmani në Ministrinë e Kulturës.
Për zëvendësministër në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës është propozuar Aleksandar Bajdevski, në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve Bekim Rexhepi, ndërsa në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Hristina Oxhaklieska.
Para se ta fillojë debatin për zgjedhjen e zëvendësministrave në Qeveri, pas dorëheqjes së deputetit Damjan Mançevski, Kuvendi e ka verifikuar mandatin e deputetit Dime Velkovski.
