Vazhdon puna në Korridorin 8! Në aksin Gostivar-Bukojçan po ndërtohen urat

TË FUNDIT

Pavarësisht kushteve klimatike në këtë periudhë, punët në Korridorin 8, më saktë në pjesën prej Gostivarit për në Bukojçan, po realizohet me intensitet të përshpejtuar.

Makineritë e kompanisë “Bechtel & Enka” që po ndërton Korridore 8 dhe 10D aktualisht po punojnë në kilometrin e 7 nga Gostivari.

Mbikëqyrësi për punët në terren, Joseph Chuva, thotë se për momentin janë duke u ndërtuar dy ura, një në kilometrin e pestë dhe një në kilometrin e shtatë. Për një kohë të shkurtër pritet të nisë puna edhe për urën në kilometrin e tetë.

“Tani jemi në seksionin e dytë. Projekti ka katër seksione por seksioni i parë dhe i dytë janë të lidhur mes veti, seksioni i katër e dini se është ne pjesë tjetër. Ajo që bëhet tani, është zhvillimi i punimeve për urën shtat që shihni pas meje. Në kuadër të aktiviteteve, jemi duke bërë gërryerje që do përdoren për shtrim dhe ngritje të pjesëve të që janë të ulëta apo ndërtimin e urave. Po ashtu punojmë edhe në mbrojtje sepse shihni që presim disa male këtu, dhe ndërtojmë urat andaj duhet mbrojtje”, tha Joseph Chuva.

Nga “Bechtel & Enka” thonë se rëndësi u kushtojnë edhe fshatrave që janë përreth zonës ku ndërtohet, më konkretisht banorët informohen për punët.

“Po ashtu përveç ndërtimit, mundohemi të jemi fqinjë të mirë që të kemi një integrim me banorët lokal, sepse kemi fshatra afër siç e shihni pas meje. Kjo është shumë me rëndësi sepse dhe unë po të isha do mendoja se sa të lumtur janë ata që t’i ndërton afër shtëpive të tyre dhe sa duan që kjo të përfundojë sa më shpejtë. Pra pjesë shumë e rëndësishme është komunikimi me banorët andaj kemi një departament të veçantë që kujdeset për këto marrëdhënie të jenë sa më të mira”, deklaroi Joseph Chuva.

Korridori 8 është 110 kilometra i gjatë. Është i ndarë në katër seksione, gjegjësisht, seksioni i parë është Tetovë-Gostivar, seksioni i dytë Gostivar-Bukojçan, i treti është pjesa e Prilepit-Manastir dhe seksioni i katërt Strugë-Qafë Thanë. Sipas marrëveshjes me vlerë prej 1.3 miliardë euro, konsorciumi amerikano-turk “Bechtel & Enka” duhet t’i përfundojë korridoret brenda 4 viteve e 7 muajve.