Zjarrfikësit e Tetovës kanë vazhduar me protestën e tyre duke kërkuar mëditjet e vikendeve, festave dhe ndërrimit të natës. Në protestën e sotme i pranishëm ishte edhe Goran Ristovski nga sindikata e zjarrfikësve të Maqedonisë, i cili i ka përkrahur duke thënë se komuna e Tetovës e ka obligim ligjor që t’i paguaj shtesat. Sipas Ristovskit vetëm qyteti i Tetovës ka ngelur duke mos e zgjedhur këtë çështje, dhe nëse komuna e Tetovës nuk pranon të dialogojë, ata protestën e ardhshme do të mbajnë para komunës.
“Ne kërkojmë që në llogari të rrogës të përllogaritët edhe shtesa për punë të tepërt që kolegët Zjarrfikës të Tetovës e punojnë çdo muaj, që do të thotë të llogaritet orari shtesë i bërë në punë. Ne kemi edhe probleme tjera që do t’i zgjedhin në nivelin republikan, ndërsa këtë problem që e kanë zjarrfikësit e Tetovës është problem që mund ta zgjidh komuna e Tetovës. Është obligim dhe punë e komunës së Tetovës të paguaj shtesa në përputhje me ligjin, gjegjësisht në përputhje me marrëveshjen kolektive.” – tha Goran Ristovski nga Sindikata e zjarrfikësve
Njëri nga zjarrfikësit e Tetovës tha se komuna e Tetovës ose nuk e di ose nuk dëshiron ta zgjidh këtë problem, ndërsa sipas tij disa nga kolegët kanë marr edhe kërcënime për largim nga puna, sepse janë pjesë e protestës.
“Ky nuk është problem qendror por është problem lokal dhe ata ose nuk dinë ose nuk duan ta kryejnë këtë dhe kemi informata se kanosen kolegët tanë. Nga kush kanosen? Nga ata që janë më lartë se ne.“ – tha Bashkim Ceka, zjarrfikës i Tetovës
47 zjarrfikës kanë paditur komunën e Tetovës. Ata rastin e kanë fituar, por nga 60 mijë denarë sa është dashur të marrin, kanë marrë vetëm 20 mijë denarë. Komuna e Tetovës në një komunikatë në protestën e së premtes tha se ata në kuadër të ligjit i kanë mbështetur zjarrfikësit, ndërsa për kërkesat e tyre thanë se ku nuk është problem lokal, por shtetëror.
