Një njeri i cili ka probleme me jurisprudencën serbe, pohon se është ndërmjetësues për blerjen e vaksinave Sputnik V për Maqedoninë. Nikolla Llakushiq për Al Xhezira thotë se është i vetmi që ka marrëveshje me fondin rus për investime me të cilin garanton dërgesë të vaksinës Sputnik V për Maqedoninë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Algjerinë dhe Bullgarinë.
“Unë jam në shënjestër të regjimit të Vuçiqit dhe mediave të tij të cilat më kanë bërë dosje me qëllim që të më diskreditojnë për shkak se u përplasëm në lidhje me biznese të mëdha dhe përfaqësi nëpër botë”, deklaroi Nikolla Llakushiq.
Pohimet e këtilla i demantojnë nga Ministria e Shëndetësisë.
“Ministria e shëndetësisë e njofton opinion publik se blerja e vaksinës Sputnik V që nga fillimi po zhvillohet në komunikim të drejtpërdrejtë me Fondin rus për investime në Moskë dhe nuk ka asnjë ndërmjetësues në këtë komunikim. Tre mijë dozat e para arritën menjëherë pasi MSH-ja e nënshkroi marrëveshjen për blerjen e 200 mijë vaksinave nga prodhuesi i vaksinës Sputnik V.”, thonë nga Ministria.
Shtojnë se për furnizimin e vaksinave kundër Kovid-19, pa dallim nëse bëhet fjalë për Sputnik V, Sinofarm, AstraZeneca ose Pfizer, ose mekanizmin Kovaks, vendi ynë e paguan çmimin e vaksinës së ofruar nga prodhuesi.
Përndryshe nesër në ora 05 të mëngjesit përfundon vlefshmëria e vendimit të Qeverisë për orë policore nga ora 22 deri në ora 05 të mëngjesit, ndërsa ministri Venko Filipçe nuk e përjashton mundësinë për sjelljen e masave restriktive shtesë nëse masat e tanishme nuk e kanë dhënë rezultatin e dëshiruar në menaxhimin e krizës shëndetësore të shkaktuar nga virusi korona.
“Ne jemi të gatshëm të vendosim edhe masa restriktive shtesë nëse masat e tanishme nuk japin rezultatet e dëshiruara”, deklaroi Filipçe.
Ndalesa e lëvizjes së qytetarëve në periudhë prej orës 22 deri në orën 5 të mëngjesit u vendos më 10 mars.
