Greva e urisë në burgun e Strugës vazhdon edhe sot, në ditën e dytë. 13 të burgosur u hodhën në grevë pasi siç thonë u janë ndërprerë kontratat e punës jashtë ambienteve të burgut. Fillimisht ata deklaruan se drejtoria e burgut i ka informuar se përveç ndërprerjes së kontratave gjashtëmujore të punës, u ndalohet edhe e drejta për të shfrytëzuar fundjavat në liri. Megjithatë, pas interesimit të TV21, ata sqaruan se drejtori e ka ndryshuar deklaratën dhe ka thënë se është ndërprerë vetëm mundësia për të punuar jashtë burgut. Të burgosurit theksojnë se do të vazhdojnë me grevën deri në rikthimin e kontratave të punës, të cilat sipas tyre, u garantohen me ligj.
“Vazhdojmë me grevën e urisë. Për momentin jemi mirë dhe nuk kemi pasur ndonjë problem shëndetësor. Sot nuk ka ardhur asnjë mjek për të na vizituar dhe nuk kemi pasur takim me drejtorin. Grevën do ta vazhdojmë deri në realizimin e të drejtave tona që na takojnë me ligj”, tha një i burgosur.
Pas nisjes së grevës, për t’i vizituar shkoi zëvendësavokati i popullit, Ylber Rufati. Pas vizitës, ai deklaroi se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar mirëqenien e grevistëve.
“Është biseduar me ekipin mjekësor për shëndetin e grevistëve, biseduam me të gjithë grevistët si dhe na u dorëzua edhe deklarata e nënshkruar për grevën e të burgosurve, jemi duke ndjekur nga afër situatën dhe po merren masat e nevojshme”, deklaroi Ylber Rufati – zv/Avokat i Popullit.
Drejtori i burgut të Strugës, Ardit Mustafai, deklaroi për TV21 se kontratat e punës janë ndërprerë për shkak se të burgosurit nuk kanë respektuar orarin.