Vazhdojnë përplasjet në Ministrinë e Bujqësisë! Tripunovski dhe Nikollovski me akuza të ndërsjella për parregullsi

TË FUNDIT

Ministri i Bujqësisë, Lupço Nikollovski po kryen sulm të drejtpërdrejtë dhe po krijon sistem paralel me çka përmes programeve të tija të reja ka paguar 2.5 milionë euro jashtë procedurave me Agjencinë e pagesave, akuzoi edhe sot zv.ministri shtesë Cvetan Tripunovski. Pohon se në Komisionin që ka dhënë miratim kush të marrë mjete financiare ka marrë pjesë edhe kryetari i komisionit për bujqësi i LSDM-së, Goce Georgievski, babai i të cilit ka marrë ndihmë financiare.

“Në vitin 2023 kompania Agrostratus, e babait të Goce Georgievskit, i cili është udhëheqës i Sektorit për zhvillim Rural në Ministrinë e Bujqësisë, ku publikohen këto konkurse, ka marrë miratim për mbështetje financiare. Me këtë konfirmohet se Nikollovski këto programe dhe këtë sulm në sistem e ka bërë për ndarjen e parave shtetërore personave partiak dhe personave të afërt me pushtetin. Nevojitet hetim i plotë, rast pas rasti që të shihet se si është e mundshme që një familje, përkatësisht dy bashkëshortë të marrin ndihmë financiare prej nga 10 mijë euro, ndërsa të tjerët të refuzohen?! “, tha Cvetan Tripunovski, zv.ministër shtesë për Bujqësi.

Ministri Lupço Nikollovski i hedh poshtë akuzat dhe përsëri thotë se Tripunovski me këtë tregon se është kundër prodhuesve të vegjël. Pagesa e mjeteve bëhet sipas të gjitha procedurave ndërsa në shpërndarjen e parave nuk ka asnjë selektivitet. Nëse zëvendësministri shtesë pohon se nuk është në përputhje me procedurat, le t’u drejtohet organeve hetuese, tha Nikollovski.

“Të gjitha procedurat në lidhje me zbatimin janë respektuar. Në asnjë pjesë asnjë procedurë nuk është anashkaluar. Nga 60 aplikime, 59 aplikime janë të suksesshme përkatësisht janë të kompletuar në mënyrë të rregullt, adekuate me të gjithë regjistrat dhe në fund janë siguruar mjete për të gjitha 59 aplikime. Ku është këtu selektiviteti, se disa kanë marrë e disa jo”, tha Lupço Nikollovski, ministër i Bujqësisë.

Nikollovski tha se së shpejti në Kuvend do të gjendet propozimi për ndryshimin e Ligjit për tokë bujqësore, me çka, siç tha, do të rregullohet vakumi juridik në vazhdimin e marrëveshjeve për marrje me qira të tokave bujqësore.