Vazhdojnë përplasjet Dimitrievski-Grubi! Kush po kërkon ndihmë nga Budapesti?

TË FUNDIT

Kryetari i Kumanovës Maksim Dimitrievski insiston deri të zv/kryeministri i parë Artan Grubi që të përgjigjet nëse udhëheqësia e ngushtë e LSDM-së dhe BDI-së kanë kërkuar ndihmë nga Budapesti për ndryshimet kushtetuese. Dimitrievski shkruan se për ndihmën e ofruar është kërkuar që të bëhet ligji sic shkruan ai “ligji për amnisti”.

“-A është e vërtetë se është mbajtur takim mes udhëheqësisë së ngushtë të LSDM-së dhe BDI-së në të cilën është vendosur që të kërkohet ndihmë nga Budapesti? -A është e vërtetë që në atë takim u vendos që z. Grubi të ishte personi kontaktues me Budapestin? -A është e vërtetë se për ndihmën nga Budapesti është kërkuar ligj për “amnisti” (ndryshimet akutale në KP) dhe sigurimin e numrit shtesë të deputetëve për ndryshimet kushtetuese? Për vendin e mbajtjes së takimit mes udhëheqësisë së ngushtë të LSDM-së dhe BDI-së  dhe temat e takimit në një rast tjetër”, tha Maksim Dimitrievski, kryetar i Kumanovës.

Kërkuam përgjigje nga zv/kryeministri Grubi për pohimet e Dimitrievskit, por nuk morëm përgjigje. Ndërkaq para dy ditëve Dimitrievski ka kërkuar përgjigje nga Grubi se cilat janë arsyet e vizitës së tij në Budapest. Pyetje të cilës Grubi i është përgjigjur në koment në FB duke mohuar vizitën e tij në Budapest.

“Tashmë që të shkrova, hajde tregoju atyre të tuve në Facebook, se a je marrë vesh në Budapest që VMRO t’i japë votat në zgjedhjet lokale ku ti u bëre kryetar komune i Kumanovës. Por trego sinqerisht, mos gënje prap!”, theksoi Artan Grubi, zv/kryeministër i parë.

Përndryshe në opinion qarkullojnë informacione se këto ndryshime eksprese të Kodit Penal janë me kërkesë të ish-kryeministrit Gruevski, ndërsa ky i fundit do t’ia siguronte pushtetit deputetët për të arritur 80 votat e nevojshme për ndryshimet kushtetuese.