Vazhdojnë mbikëqyrjet në shërbimet e sigurisë, VMRO-DPMNE akuzon për 5 vite ndjekje

TË FUNDIT

Anëtarët e Komisionit parlamentar për mbikëqyrje mbi shërbimet e sigurisë sot janë në Agjencinë për Zbulim (AZ), pasi dje ishin për vizitë në Agjencinë për Siguri Kombëtare. Deputetja e LSDM-së, Sllavjanka Petrovska, para vizitës deklaroi se nuk ka pritje të mëdha, sepse përgjigjet kyçe nuk i mori në takimin e djeshëm në ASK.

 “Cila është pozita e Agjencisë për Zbulim në të gjithë këtë skandal të ashtuquajtur, a ndoshta ata disponojnë me ndonjë njohuri, por gjithashtu do të doja të dëgjoj edhe shikimin e tyre mbi gjërat në bazë të informacioneve që ata i kanë rreth sigurisë në shtet. Kur them siguri nuk mendoj vetëm në prishje me incidente, por flas për konceptin e sigurisë kombëtare që është shumë më i gjerë, nga aspekti i ndikimit të shërbimeve të huaja, të shërbimeve për të cilat ne mendojmë ndoshta se janë miqësore, por në prapavijë kanë agjendën e tyre etj”, tha Slavjanka Petrovska, deputete e LSDM.

Nga partia në pushtet, VMRO-DPMNE, prej ditësh akuzojnë se kreu i tyre i partisë është ndjekur gjatë pesë viteve të kaluara sa ishte në opozitë. Sipas tyre, kjo është bërë me vetëdije nga socialdemokratët me qëllim që të shkatërrohet partia.

 “Prokuroria publike duhet të fillojë të punojë. Kush ka dhënë udhëzime Agjencisë për Siguri Kombëtare dhe Agjencisë për Zbulim për ta përgjuar kryetarin Mickoski, hetimi duhet të jetë gjithëpërfshirës. Prokurorinë publike e thërrasim të mos vëzhgojë nga anash dhe të presë çfarë do të ndodhë më pas, por duhet aktivisht të përfshihet në ndriçimin e rastit me përgjimin dhe përcjelljen e VMRO-DPMNE-së, gazetarëve dhe biznesmenëve. Pesë vite janë cenuar të drejtat e njeriut të dhjetëra funksionarëve të VMRO-DPMNE-së, në krye me kryetarin Mickoski, biznesmenë dhe gazetarë”, u shpreh Valentin Manasievski, VMRO-DPMNE.

Ndërkohë, nga LSDM kërkojnë që Agjencitë t’i deklasifikojnë materialet dhe t’i vënë në shqyrtim të publikut, me qëllim që të përcaktohet nëse vërtet ka pasur përgjim të paligjshëm.