Vazhdojnë kërkesat për zgjedhje të parakohshme. Sipas VMRO-DPMNE-së nëse përbërja e tanishme vazhdon të jetë në pushtet vendi do të futet edhe në edhe krizë më të madhe.
“Derisa BDI dhe LSD mbahen artificialisht në pushtet, duhet ditur se viti shkollor do të nisë sërish pa libra, pacientët me sëmundje të rralla qajnë dhe lusin për ilaçe dhe fëmijët kërkojnë para për mjekim përmes mesazheve, në gjithë Shkupin vriten njerëz dhe MPB-ja nuk mund t’i gjejë autorët, pensionistët mezi ia dalin mbanë, fermerët nuk kanë ku të shesin atë që prodhojnë, të rinjtë shpërngulen, shteti është në borxh, dhe askush nuk e di se ku shkojnë miliarda euro që duhet t’i kthejnë nga brezat e ardhshëm. Është koha që BDI dhe LSD ta kuptojnë seriozitetin e situatës, pse çdo ditë që kalon me ta në pushtet Maqedonia po humbet. Me BDI-në dhe LSD-në, çdo ditë jemi më larg BE-së dhe një të ardhmeje të mirë”, tha Vllado Misajllovski –VMRO-DPMNE .
Nga ana tjetër edhe Pavle Trajanov, kryetar i Lidhjes Demokratike kërkon shpërbërjen e Kuvendit dhe zgjedhje të parakohshme.
“Është më se e qartë se nuk ka numër të nevojshëm të deputetëve për ndryshimet kushtetuese, do të thotë e vetmja zgjidhje dhe mendoj se do të ishte edhe veprimi më i mirë shtetëror që të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Nëse LSDM dhe BDI konsiderojnë se po udhëheqin politikë të duhur atëherë le ta testojnë të njëjtët para qytetarëve. Ose ata do të japin mbështetje për ta, ose do t’ju thonë të shporreni nga Kuvendi dhe Qeveria”, pohoi Pavlle Trajanov – Lidhja Demorkatike.
Por, nga pushteti as që diskutojnë për zgjedhje të parakohshme, thonë se këto veprime të opozitës janë antishtetërore dhe antimaqedonase që e izolojnë vendin, megjithatë zotohen se do të bëjnë çmos për të zhbllokuar pengesat.
“Pa asnjë vërejtje për përmbajtjen e propozuar të amendamenteve kushtetuese, DPMNE po tenton të bllokojë të ardhmen evropiane të vendit. DPMNE dhe Mickoski po veprojnë kundër jetës më të mirë për qytetarët, kundër fondeve të reja dhe më të mëdha evropiane, kundër përparimit të përshpejtuar dhe standardeve evropiane. Mickoski dëshiron që vendi të mbahet sërish në 11 vite izolim. Së pari ishte asimilimi dhe bullgarizimi, pasi ato gënjeshtra plasën si flluskë sapuni, u shpik një gënjeshtër e re, diktati bullgar”, theksoi Bogdanka Kuzeska – LSDM.
Përndryshe sa i përket bllokut shqiptar, Lëvizja Demokratike, Lëvizja Besa dhe Alternativa gjithashtu kërkojnë zgjedhje të parakohshme por me arsyetime të tjera nga ato të opozitës maqedonase.
