Në ditën e dytë të debatit, pushteti dhe opozita me qëndrime të kundërta për zgjatjen e gjendjes krize në energjetikë deri më 30 prill të këtij viti. Deputetët e VMRO-DPMNE me kritika duke kërkuar përgjegjësi nga pushteti se pse ka dështuar sistemi duke na futur në gjendje të këtillë. Lupço Prenxhov nga GROM, që është pjesë e koalicionit me VMRO-DPMNE-në, akuzoi se Qeveria nuk ka projeksione se sa do të kushtojë energjia elektrike gjatë dimrit dhe çfarë do të ndërmerret për ballafaqimin me krizën.
“Nuk e kam të qartë se si mund ta aprovojmë këtë pa asnjë numër brenda, sa para, supozime, skenarë, se sa kushtonte energjia elektrike vitin e kaluar, si lëviz, çfarë po ndodh, çfarë të presim. Unë mendoj se një monark i mesjetës ka pasur më shumë përgjegjësi ndaj qytetarëve se sa qeveria e Maqedonisë në shekullin 21”, tha Lupqo Prenxhov, GROM.
Akuzave të këtilla iu përgjigj zv/kryeministri Fatmir Bytyqi i cili theksoi se edhe qytetarëve edhe ekonomisë deri më tani nuk u ka munguar energji elektrike asnjë minutë dhe se nuk ka paralajmërime për restrikcione të mundshme.
“A keni dëgjuar për vetëm një minutë restrikcion në këto 70 mijë kompani? Jo, për dallim nga vendet fqinje. Çfarë bëjmë me amvisëritë, 650 mijë amvisëri, cili është çmimi i energjisë elektrike që e paguajnë sot? Vendosëm metodologji të re të llogaritjes së energjisë elektrike me çmime të reja mesatare, ne periudhë të krizës çmimi u rrit për vetëm 7,5%”, theksoi Fatmir Bytyqi, zv/kryeministër për Çështje Ekonomike.
Edhe sot u caktua seancë kuvendore ku duhej të votohej zgjatje e gjendjes krize në territorin e të gjithë shtetit dhe në territorin e Shkupit për energjinë ngrohëse, megjithatë seanca u shty për javën e ardhshme për shkak se nuk mbaroi debati në komisionet përkatëse kuvendore. Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi paralajmëroi se afati i fundit për zgjatjen e gjendjes krize është 28 shtator.
