Do të ketë mekanizëm të ri për shpërndarje të vauçerëve për mbështetje të turizmit. Për herë të parë, si kriter në pjesën e thirrjeve publike është zhvillimi i rajoneve, e jo vetëm i turizmit, shpjegon ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, në emisionin “10 Minuta” të TV21. Qytetarët që jetojnë në komunat më pak të zhvilluara do të kenë përparësi në marrjen e ndihmës financiare.
“Me programin e Ministrisë së Ekonomisë, i cili do të fillojë të realizohet nga prilli, më së voni deri në maj, është paraparë që përmes sistemit të vauçerëve të ndihmohen qytetarët me të ardhura të ulëta, por edhe qytetarët që marrin ndihmë sociale. Vauçeri do të jetë në vlerë prej 15.000 denarëve”, deklaroi Kreshnik Bekteshi – Ministër i Ekonomisë.
Punëtorët turistik janë të kënaqur nga masat. E mirëpresin vendimin, sepse siç thonë, në këtë mënyrë do të mund të “mbijetojnë”.
“Kishte ndihmë për rrogë minimale, pastaj kishte grante që ishin të mirëseardhura. Rrogat jepeshin me kohë edhe gjatë vjeshtës. Ishin të mirëseardhura dhe neve, agjencive na ndihmuan shumë”, tha Andrej Saraçievski.
“Kjo periudhë ishte e vështirë për turizmin. Mbështetjen që e morëm nga Qeveria dhe Ministria e Ekonomisë na ndihmoi shumë”, u shpreh Elizabeta Koçova-Josifovska.
“Masat janë të shkëlqyeshme. E po të mos ishin? Nëse shohim në shtete të tjera, gjithkund është “lock down”. Këtu gjithçka është duke funksionuar”, theksoi Arkan Kerim – Kryetar i Odës Turistike-hotelierike.
Ministri Bekteshi, me pakon e pestë paralajmëroi mbështetje edhe për hotelet që nuk gjenden në vendet turistike.
