Zjarre kudo! Disa janë shuar, e në disa tjera ende po përpiqen t’i lokalizojnë. Por ka disa zona ku gjendja është përkeqësuar me erërat e sotme.
“Megjithëse janë shuar të gjitha vatrat e zjarrit në malësinë e Bllacës dhe të Çuçer Sandevës nga ekipet e zjarrfikësve, po shihet që kjo erë që po fryn në mesditë ka rrezik të rindezë disa vatra të zjarreve ku është ngritur edhe tymi në këto pyje ku ndodhemi ne, aktualisht…”, raporton Adnan Qaili, gazetar i TV21.
Në malësinë e Bllacës dhe të Çuçer Sandevës qindra hektarë pyje janë shkrumbuar. Në këto kodra me pisha dhe bimësi të ulët, gjithçka që sheh – tym e hi. Për dëmet pyetëm në Ndërmarrjen Publike “Pyjet e Maqedonisë” nga ku na thanë se janë duke formuar ekip për të dal në terren për vlerësimin e dëmeve në gjithë territorin e djegur malor.
Deri në mesditën e së mërkurës janë regjistruar gjithsej 14 zjarre në sipërfaqe të hapura në të gjithë vendin, nga të cilat 10 janë ende aktive dhe 4 janë shuar, njoftoi Qendra për Menaxhim me Kriza.
Shërbimet kompetente janë në terren dhe punojnë në lokalizimin dhe sanimin e plotë të zjarreve. Nga DMSH thonë se po intervenohet si nga toka ashtu edhe nga ajri.
“Gjendemi në pendën e fshatit Asanli, nga orët e hershme të mëngjesit helikopteri ka kryer rreth 20 intervenime me depozitë uji në një terren shumë të papërshtatshëm në përroin me dy kodrinave. Ne do të vazhdojmë deri sa të shuajmë atë vatër zjarri”, u shpreh Dejan Ivanov, zv/shef i Njësitit të Zjarrfikësve në Gjevgjeli.
Ndër zjarret aktive, dallohen disa në zonën e komunës së Makedonski Brodit, Çashkë, Dojran, Kavadar, Veles. Ndërsa, zjarret janë shuar në komunat Butel, Staro Nagoriçane, Demir Hisar dhe Prilep. Përndryshe, Qeveria ka shpallur gjendje krize dhe ka urdhëruar formimin e shtabit të krizës nga disa institucione kompetente në mënyrë që të koordinohen dhe të mobilizohen në përballje me zjarret.
