Japonezët sot i dhanë lamtumirën ish-kryeministrit Shinxo Abe i cili u varros në një tempull budist në Tokio. Qindra njerëz u mblodhën rreth tempullit në qendër të Tokios për t’i dhënë lamtumirën Abes.
Përderisa kalonte kortezhi i varrimit, qytetarët e tubuar të veshur në të zeza dhe me lule në duar thërrisnin “Abe-San”.
Flamujt në Japoni janë ulur në gjysmë shtizë.
Në funeralin morën pjesë e veja e ish-kryeministrit të vrarë Aki Abe, anëtar të afërt të familjes, kryeministri Fumio Kishida dhe zyrtarë të lartë të Partisë liberal-demokrate të Abes.
Më 8 korrik, 67 vjeçari Abe u qëllua gjatë një tubimi parazgjedhor në qytetin Nara dhe vdiq në spital.
