Vance thotë se SHBA-ja po shqyrton kërkesën e Ukrainës për raketat Tomahawk

TË FUNDIT

Shtetet e Bashkuara po e shqyrtojnë kërkesën e Ukrainës për të marrë raketa me rreze të gjatë veprimi, Tomahawk, për luftën e saj për ta zmbrapsur pushtuesin rus, tha të dielën nënpresidenti amerikan, JD Vance.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara që t’u shesin raketa Tomahawk vendeve evropiane në mënyrë që ato pastaj t’ia dërgojnë ato Ukrainës.

Vance tha në “Fox News Sunday” se presidenti amerikan, Donald Trump, do ta marrë vendimin përfundimtar për këtë marrëveshje.

“Ne po shqyrtojmë një numër kërkesash nga evropianët”, tha Vance.

Raketat Tomahawk kanë një rreze veprimi prej 2.500 kilometrash, që nënkupton se Moska do të ndodhej brenda rrezes së armëve të Ukrainës nëse Kievit do t’i jepeshin ato.

Rusia pothuajse me siguri do ta shihte një veprim të tillë si përshkallëzim të luftës së saj në Ukrainë.

Trumpi i ka hedhur poshtë deri tani kërkesat e Ukrainës për përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi, por tani ndihet i zhgënjyer me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, që nuk po pranon të arrijë marrëveshje për paqe.

Keith Kellogg, i dërguar i posaçëm i SHBA-së për Ukrainën, tha se Trumpi ka sinjalizuar se tani Kievi duhet të jetë në gjendje të kryejë sulme me armë me rreze të gjatë kundër Rusisë.

“Unë mendoj, duke kuptuar çfarë ai [Trump] ka thënë, dhe duke kuptuar çfarë ka thënë nënpresidenti Vance… përgjigjja është po. Përdorni mundësinë për të goditur thellë. Nuk ekzistojnë vende të sigurta”, tha Kellogg gjatë një interviste për Fox News më vonë të dielën.